Nga Ben Andoni
Ditët e fundit, që po i paraprijnë zgjedhjeve në Kosovë, kanë shpalosur natyrën e vërtetë të politikës pa skrupuj: Premtimet e gjërave të pamundura. Kështu p.sh., kandidati për kryeministër i Kosovës Hoti, ardhur nga LDK-ja dhe deri tani në ekzekutiv edhe pse më i përgatitur në logjikën ekonomike financiare se dy kundërshtarët e tij, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti, shpalos vetëm gjëra gati të paarritshme. Megjithëse i shpjeguar teknikisht korrekt premtimi se buxheti i Kosovës do të arrijë pesë miliard, duket krejt i pamundur me strukturën e tanishme ekonomike dhe sociale që ka Kosova të arrihet si synim. Për fat të keq, ai nuk po arsyeton dot as idenë e një zgjidhje ndryshe për demarkacionin, një nga elementët që e prishi qeverinë e drejtuar nga kryetari i partisë së tij Mustafa.
Nuk mund të thuhet se kandidati më i mundshëm Haradinaj është më i përgatitur ose premton ndonjë ndryshim, por ai po mbart fort imazhin e njeriut ndryshe, njeriut të drejtë, për pastërtinë e të cilit vitet e fundit kanë punuar më së shumti të huajt, duke e çliruar nga të gjitha akuzat e drejtësisë. Në retorikën e tij të pakultivuar që ndryshon shumë nga ajo që shpaloset në materialet e shkruara (medoemos nga stafi i vet) ka premtime të përgjithshme populiste dhe ndryshime radikale, por aspak të besueshme me modelet ekonomike-sociale, që mund të aplikohen në Kosovë. Më së shumti ndryshimi që ai premton në Kosovë dhe punët e mëdha për prodhimin lokal: “Zotohem se kemi me ndihmuar bujkun dhe prodhuesin e Kosovës, që vendi të ketë prodhimin dhe konsumin e vet e të mos varet nga importi dhe të tjerët, për prodhimet tona”.“Duhet t’i shfrytëzojmë resurset tona për nevojat e Kosovës, duhet që ta ndihmojmë njeriun tonë, punëtorin, bujkun e prodhuesin, që të jenë zot të vendit ”, tha Haradinaj.
Për hir të së vërtetës, AAK-ja e Haradinajt ishte gjatë viteve 2004-2007 në qeverinë me LDK dhe në momentin kur u bë disi funksionimi i jetës parlamentare pozitë-opozitë. PDK-ja përfaqësoi opozitën dhe në këtë periudhë pati konsensus në çështjet nacionale, duke u krijuar edhe Ekipi i atëhershëm i Unitetit dhe mekanizmat tjerë përcjellës, që punuan jo pak.
Ndërkohë që modeli i muajve të fundit parashikon të bëjë atë që ndodhi më 2008-2010, kur një opozitë e vogël pati përballë një koalicion të madh, sipas asaj që referojnë specialistët kosovare. Por edhe kjo nuk funksionoi sepse opozita që u identifikua me Vetëvendosjen ishte shumë e ashpër. Kandidati Albin Kurti, sot, shumë më i zoti në elokuencë se dy kandidatët e tij sa i përket teorisë politike, arriti të sjellë në mëndje ditët e fundit ato që partia e tij kërkoi me forcë dhe që për hir të së vërtetës kanë dalë: privatizimi i keq i Telekomit, kotësia e bisedimeve me Serbinë, kapjen e shtetit që kulmoi me PRONTON, pasojat e decentralizimit etnik…
Mund, në fakt, që modeli i ri që po ndodh aktualisht me koalicionet e mëdha parazgjedhore ka të ngjarë të funksionojë për pak kohë, por nuk premton vazhdimësi. Pasi realisht mungon mendësia kosovare dhe besimi e respekti për ndërtimin e institucionit që do i paraprijë axhendave të reformave. Politika kosovare e sheh tjetrin si armik jo si kundërshtar. Jo më kot, shumica e energjisë në Kosovë shkon për të penguar. Megjithatë, figura e vendosur e Haradinajt dhe kompleksi i tij i madh për të qenë kryeministër mund të sjellë disi një ndryshim, paçka se ai ende nuk ka artikuluar diçka të strukturuar. E për më tepër i është shmangur përballjes me kandidatët e tjerë, dukshëm më të zotë se ai në ligjërim.
Duke pasur parasysh se Kosova, si shtet i ri, vërtet përballet me gjëra imediate, atij (është provuar me sukses për 100 ditë) mund t’i shkojë përkohësisht mundësia që të drejtojë Ekzekutivin, me një koalicion qeverisës me PDK-në që paradoksalisht e ka akuzuar dhe gati është provuar publikisht në aferat e mëdha të korrupsionit. Por, bash edhe kjo gjë e fundit e bën përpjekjen e përgjithshme kosovare edhe këtë herë të pamundur. (Javanews)