Në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua të mërkurën ceremonia e përcjelljes së dy kontigjenteve të Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të NATO-s, Resolute Support Mission në Kabul dhe Herat, në Afganistan.
Dy kontigjentet janë pjesë e kompanisë së parë “Zemërluanët” e batalionit të dytë të këmbësorisë dhe do të shërbejnë për një periudhë në Kabul nën komandën e Forcave të Armatosura turke dhe në Herat nën komandën e Forcave të Armatosura italiane.
Në ceremoninë, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Mbrojtjes, si dhe zv/ambasadori i Turqisë Sinan Cem Baş dhe atasheu ushtarak italian në Tiranë, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani vuri në dukje vështirësitë e këtyre misioneve.
Ai kërkoi nga efektivët shqiptarë të tregojnë aftësitë e tyre më të mira, për të nderuar flamurin shqiptar.
Nga ana e saj ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli vlerësoi angazhimin e ushtarakëve shqiptarë në Afganistan prej 15 vitesh, por dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit.
“Si pjesë e Aleancës me të cilën na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë, ne nuk mjaftohemi vetëm me solidaritetin me viktimat dhe të goditurit nga terrorizmi, por kontribuojmë aktivisht në luftën kundër tij”, u shpreh Kodheli.
Ajo vlerësoi përgatitjen e dy kontigjenteve dhe shprehu mbështetjen e veçantë për ta dhe familjet e tyre gjatë angazhimit në operacion.
“Tashmë, pas përmbushjes me sukses të angazhimit në Forcën Reaguese të Gatishmërisë tepër të lartë të NATO-s, nisim efektivat e kompanisë së parë. Ata morën pjesë me sukses në stërvitjen e NATO-s me vizibilitet të lartë “Trident Juncture-15”, në Capo Teulada, Itali, si dhe në stërvitjet e tjera dislokuese në Poloni, apo Gjermani”,