Pasi kryetari i PD-së së Shkodrës vendosi të tërhiqej nga lista e kandidatëve për këtë Qark, me argumentin se ishte fyerje për të që të renditej në vendin e 8-të, selia blu në Tiranë ka shpërndarë një dokument për mediat ditën e djeshme.
Sipas këtij dokumenti, rezulton që Çobaj ka qenë oficer i Sigurimit të Shtetit.
Vetë Çobaj ka reaguar sot, për të bërë këtë sqarim:
“Disa media dhanë lajmin e rremë sikur unë kam punuar në sigurimin e shtetit.
Sqaroj gjithë opinionin publik se ky lajm dashakeqës është krejtësisht i pavërtetë.
Unë Ramiz Çobaj kam punuar në Policinë e Shtetit në sektorin e krimit ekonomik, fakt të cilin e kam deklaruar që në vitin 2005 nëpermjet CV-së zyrtare të paraqitur pranë Kuvendit të Shqipërisë, në kohën e marrjes së mandatit të deputetit.
Sqarimin më të plotë do e jap nëpërmjet ripublikimit të CV-së time”, thotë Çobaj.
PD e Shkodrës duket komplet e shpartalluar, në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, pas luftës së brendshme, shkruan Tema.
Kryetari i saj Ramiz Çobaj praktikisht ka braktisur fushatën, ndërkohë që baza e PD-së nuk ka kush drejtohet. /b.d