Gati 300 persona janë pyetur nga Prokuroria dhe Policia lidhur me ngjarjen e pazakontë të infektimit të militantëve të Partisë Demokratike, gjatë kohës kur kjo e fundit hapi fushatën e saj elektorale, para Kryeministrisë.
Bëhet fjalë për 140 persona të lënduar që kanë dhënë deklarime dhe pjesa tjetër sipas burimeve, janë zyrtarë të institucioneve, duke filluar nga Garda e Republikës, organizatorët e protestës së PD, dhe deri tek zyrtarët e kopmanisë që kishte lëshuar me qira prozhektorët.
Momentalisht për Prokurorinë dhe Policinë e Tiranës, prozhektorët janë një nga variantet e sjellës së simptomave të djegies në krahë, fytyrë, buzë e deri tek sytë të simpatizantëve të PD.
Burimet shtojnë se dyshimet mbi prozhektorët janë ngritur, pasi disa pacientë kanë pasur djegie vetëm në gjysmën e fytyrës dhe jo të gjithën. Po ashtu disa pacientë që kanë qenë në miting me kapelë, janë djegur vetëm në pjesën e qafës, pra nga hija që i krijonte kapelja,ata nuk kanë pësuar djegie.
Ndërkohë disa nga pacientët, kanë pësuar djegie vetëm në një krah, dhe jo tek të dy. Të gjitha këto konstatime sipas burimeve të Prokurorisë dhe Policisë, ngrenë dyshime se këtë infeksion e kanë përcjellë prozhektorët.
Prandaj dhe ditën e djeshme, me urdhër të prokurorit Gjergji Tako, është vendosur sekuestrimi i dy prej 12 ndriçuesve. Këta të fundit do i nënshtrohen një ekspertimi teknik, për të mësuar lidhur me rrezatimin që ata mund të çlirojnë.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur nga policia për akuzën e “Ndotjes së ajrit”, por Prokuroria thotë se nga ana juridike, kjo akuzë nuk qëndron dhe se gjatë ditës së djeshme, dosja në fjalë është regjistruar në prokurori, duke ju referuar nenit 325 që flet për “Pengim i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”.
Pavarësisht kësaj, ajo që përbën vështirësi në këtë hetim, është pamundësia e përcaktimit të substancës helmuese apo rrezatuese që është çliruar në ajër, e cila më pas ka sjellë djegien e rreth 150 personave, simpatizantë të PD.
Prokuroria ka kërkuar ndihmën e institutit të mjekësisë-ligjore, por këta të fundit pavarësisht mostrave të gjakut, lotëve në sy dhe urinës së pjesës më të madhe të të dëmtuarve, janë shprehur se e kanë të pamundur të përcaktojnë se çfarë substance mund të ketë sjellë këtë anomali.
Sipas ekspertëve ekzistojnë 3200 lloje substancash helmuese dhe është e pamundur të bësh ekspertime, duke mos ditur se çfarë reagenti të përdorësh, për të përcaktuar helmimin.
Ekspertët kanë kërkuar nga Prokuroria e Tiranës, të përcaktojnë disa substanca ku ata dyshojnë, në mënyrë që të ekspertohen me reagentët përkatës, lidhur me pasojat që sjellën në mjedis dhe trupin e njeriut. Mirëpo tashmë Prokuroria dhe Policia janë në pritje të të dhënave që do sjellë drejtoria e lëndëve kimikë të Ushtrisë./Shqiptarja/a.m.