Në çelje të fushatës elektorale të PD, Lulzim Basha ka komentuar edhe listat e kandidatëve për deputetë të PD-së të cilat kanë ngjallur shumë debat pasi u lanë jashtë figura të forta të PD dhe kritikë të Bashës si Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Eduard Selami dhe Majlinda Bregu.
Kryetari i PD, deklaroi se hartimi i listave ka qenë i vështirë, por lënia jashtë e disa figurave nuk ishte i papritur, pasi kuptohej se ndryshimi duhej të fillonte nga shtëpia jonë për republikën e re. Në krye të 4 javëve tha Basha, republika e re do të jetë realitet.
Basha falenderoi edhe aletatet per qendresen gjate 90 diteve.
“Mbrëmë dorëzova listën fituese të republikës së re në KQZ. Kam marrë vendime të vështira, por jo të papritura. E thashë që më parë se ndryshimi duhet të fillojë nga shtëpia jonë. Futa në listë përfaqësuesit më të spikatur të vlerave nga të gjitha komunitetet. Vendimet që mora mbrëmë ngritën pritshmëritë e shqiptarëve. Kam futur në listë profesorë dhe profesoresha të nderuara. Kjo është republika e re, profesorë në krye të qarqeve”, deklaroi Basha.
Lulzim Basha me aleatët e tij shkojnë bashkë në zgjedhje nën siglën e partisë Demokratike e për këtë arsye tha kreu i PD, të gjithë bashkë do të themelojnë republikën e re pas 25 qershorit.
Sipas tij opozita është e bashkuar ndërsa kundërshtarët janë të përçarë. Opozita e bashkuar nën siglën e Partisë Demokratike shkon në këto zgjedhje me programin e saj nën sloganin “republika e re, ekonomi e fortë e nesërme e sigurtë”./javanews.al/a.ç