Ish-kryetarja e KQZ, Lefterije Luzi, deklaron se listat e kandidatëve për deputetë janë monopol i kryetarëve të partive.
Duke treguar përvojën e saj si kryetare e Komisionit në emisionin “Ekopolitikë” në Ora News, ajo tha se e telefononin pas orës 12 të natës për të konfirmuar janë apo nuk janë në lista.
“Është e vërtetë që listat e kandidatëve janë domen i kryetarëve të partive politike. Heqim këtë rast të PD që ka këtë specifikë dhe ti kthehemi zgjedhjeve të mëparshme. Është e njëjta situatë.
Kam qenë kryetare e KQZ dhe për mua më është dukur habi që pas orës 24:00 kur ne na vinin listat më merrnin kandidatët për deputetë, ata që mendonin se ishin në lista dhe thoshin: A jemi në lista? Është qesharake. Në fillim nuk mund ta pranoja dot se thosha si ka mundësi të mos dish je apo nuk je në listë.
Domeni i kryetarëve të këtyre partive është që ata i bëjnë vetë listat dhe ti nuk di deri në momentin e fundit je apo nuk je në listë. Duhet të ketë më shumë demokraci brenda partive në përzgjedhjen e kandidatëve“, deklaroi Lefterije Luzi. /b.d