Drejtësia shqiptare ka vendosur ka vendosur ekstradimin drejt Serbisë të ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skënder Haziraj. Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e Hazirajt, i cili e kundërshtonte ekstradimin, duke pretenduar se do të diskriminohej për shkak të shtetësisë së tij kosovare dhe veprimtarisë patriotike në radhët e UCK.
Pasi e shqyrtoi çështjen mbi bazë dokumentesh, Kushtetuesja doli në konkluzionin se vendimi i gjykatës së Lartë ishte i drejtë dhe se Haziraj duhet t’iu dorëzohej autoriteteve Serbe.
Kosovari, u ndalua në Kukës me 13 qershor 2014. Ai rezultonte shtetas në kërkim pasi Gjykata e Lartë Beograd, Zyra e veçantë e kishte dënuar në mungesë me 6 vite burgim për akuzat e “kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” dhe “trafikimit të njerëzve”, vepra penale të kryera sipas akuzës, gjatë periudhës prill 2006 deri nëntor 2006.
Autoritetet serbe sollën brenda 40 ditësh kërkesën për ekstradimin e tij, me argumentin se Skënder Haziraj, ishte shtetas i Serbisë. Për këtë vërtetuar këtë fakt vunë në dispozicion autoriteteve të drejtësisë shqiptare certifikatën personale të Hazirajt.
Avokati i Hazirajt, Gëzim Gjana, pretendoi përpara gjykatës se Haziraj nuk mund të trajtohej si shtetas serb, sikurse është përcaktuar në vendimin e gjykatës së Lartë Serbe, pasi Republika e Shqipërisë e ka njohur shtetin e Kosovës. Mbrojtësi ligjor argumentonte më tej, se dokumentet e identifikimit të ardhura nga Serbia, janë nxjerrë nga qarkullimi nga vetë shteti serb, i cili nuk i përdor më për identifikimin e shtetasve të tij.
Gjatë gjykimit, avokati këmbënguli se Skënder Haziraj do të diskriminohej për shkak të shtetësisë kosovare dhe veprimtarisë patriotike si anëtar i UÇK, pasi në vitet 1998-1999 kishte luftuar kundër ushtrisë serbe, si dhe kishte bërë furnizimin me armë të UCK në Zonën Operative Shalë, fakte të vërtetuar këto gjatë gjykimit.
Për këto arsye, gjykata e Kukësit e rrëzoi kërkesën e Serbisë për ekstradim dhe fill më pas Skënder Haziraj la Shqipërinë. Por ndërsa ndodhej në Kosovë, gjykata e Apelit Shkodër e prishi vendimin e shkallës së parë dhe firmosi për ekstradimin e ish-luftëtarit. Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë. /balkanweb / ma.me