Në një takim me përfaqësues vendorë në Girokastër, prefekti i qarkut Flamur Bime foli për masat anti-kanabis që kanë filluar me sensibilizimin e popullsisë, sidomos në jug, që sipas tij përbën një prej rajoneve me nivelin më të lartë të kultivimit të narkotikëve, sidomos gjatë vitit 2016.
Institucionet që angazhohen për të raportuar për shtabin janë 21 drejtori dhe bashki të qarkut të Gjirokastrës. Sipas prefektit Bime, situata këtë vit është nën kontroll dhe tentativat për kultivim janë reduktuar në minimum.
“Në planin e veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit për periudhën 2017-2020, me vendim të Këshillit të Ministrave, është i qartë kuadri ligjor. Është analizimi i situatës aktuale, kërkesat e ndërkombëtarëve, kapaciteti, misioni dhe objektivat strategjikë. Ne si task forcë vendore kemi për detyrë të informojmë çdo javë task forcën qendrore, që përbëhet nga ministrat dhe drejtohet nga zv.kryeministri”, dekalroi Bime raporton tch.
Sipërfaqja e mbjellë në Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Lunxhëri, Cepo, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë dhe rrethinat e tyre vitin e kaluar ishte gati 7.2 herë më e madhe krahasuar me 2015.
Vetëm gjatë vitit 2016, sasia e kanabisit të shkatërruar në qarkun e Gjirokastrës përbënte më shumë se 80% të sasisë së shkatërruar në shkallë vendi.