Zyrtarët e policisë në Kosovë thanë se kanë marrë njoftime për vrasjen në Siri të një shqiptari nga Kosova me banim në Mitrovicë, rreth 40 kilometra në veri të Prishtinës. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se “për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet Siria, për policinë është e vështirë të ketë informacione zyrtare për vrasjen e tij”
Por, mediat në Prishtinë thanë se i vrari në luftën e Sirisë është Dush Smajli me banim në komunën e Mitrovicës dhe se i njëjti kishte shkuar së paku dy herë në luftën e Sirisë.
Familjarët e tij thonë se disa ditë më parë kanë marr lajmin për Dush Smajli.
Në vitin 2014, Dush Smajli së bashku me tre bashkëqytetarë të tij nga Mitrovica ishin arrestuar nga policia e Kosovës nën dyshimet për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut. Por, më pas ishin lënë të lirë dhe ai kishte shkuar sërish në Siri.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 316 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Afro 60 veta kane humbur jetën, ndërsa rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Mbi 40 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.
ma.me