Ministria e Arsimit publikon udhëzimin e plotë për pranimet në universitete, firmosur nga Lindita Nikolla në ditën e largimit nga posti. Në udhëzimin nr 15, datë 19.05.2017, përcaktohen procedurat dhe afatet e aplikimit dhe regjistrimit në universitete. Përveç publikimit në kohë, procedura këtë vit duket se është më e thjeshtëzuar dhe e kuptueshme.
Raundet e garës do të jenë dy dhe regjistrimet me faza 48-orëshe, ndërsa ndryshe nga vjet lihet e hapur mundësia e çregjistrimit për një degë më të preferuar. Për gjithë procedurën do të kujdeset sërish Agjencia Kombëtare e Provimeve, të cilës thjesht i është ndërruar emri, pasi struktura e personeli është po ai.
KUSHTET E APLIKIMIT
Janë katër kritere që duhet të plotësojë një maturant i ri apo i vjetër, me qëllim që të bëhet pjesë e garës për të fituar një degë në universitetet publike a private. Përfundimi me sukses i shkollës së mesme të përgjithshme a profesionale është kushti i parë i ndjekur nga nota mesatare minimalisht 6, e vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret e vendosura që në muajin janar nga universitetet përcaktojnë kushtin kryesor për të aplikuar në një degë të caktuar, ndërsa ndjekja e studimeve paralelisht në dy degë studimi nuk lejohet për të gjithë (vetëm për ekselentët). Ashtu siç është thënë edhe më herët, gara do të zhvillohet në dy raunde. Për të parën maturantët do të mund të aplikojnë nga data 20-29 korrik, ndërsa në harkun kohor të një muaji duhet të shpallen fituesit.
Aplikimet për raundin e dytë do të bëhen brenda nga jave, nga 15-22 shtator, ndërsa lista e dytë e fituesve do të shpallet më 30 shtator. ÇREGJISTRIMI Një ditë pasi maturanti ka parë emrin në listën e fituesve, që më 29 gusht mund të shkojë në sekretarinë e shkollës për të bërë direkt regjistrimin me dokumente. Është menduar që kjo periudhë deri më 11 shtator të bëhet me 7 faza regjistrimesh 48-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe deri në plotë- simin e kuotave bosh.
Fituesit që nuk u regjistruan brenda afateve humbasin të drejtën e studimit, por mund të aplikojnë për raundin e dytë. Brenda 13 shtatorit shpallen kuotat e lira. Mundësia e çregjistrimit për ata që nuk janë të bindur për zgjedhjen që kanë bërë është vetëm data 12 shtator. Kandidati bën një kërkesë për çregjistrim në sekretarinë mësimore të fakultetit ku është regjistruar, duke tërhequr edhe dokumentet e ti. “Nëse nuk e kryen këtë veprim brenda kësaj date, ai nuk ka të drejtë të ndryshojë programin e studimit për atë vit akademik”, përcaktohet në udhëzim.
ma.me