Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi sot një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative nr. 9 në Bashkinë e Tiranës. I pranishëm në këtë takim ishte Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili shoqërohej nga kandidatet për deputete të LSI-së për qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi, Eriona Bixha, etj.
Duke evidentuar punësimin dhe arsimimin e të rinjve si një nga problematikat kryesore, Vasili u shpreh në fjalën e tij se programimi elektoral i LSI-së parashikon një punësim real për të rinjtë dhe që garanton hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës.
“LSI premton ato që realizon dhe ka një premtim shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm: në katër vjetët që vijnë, nën drejtimin e LSI-së forcë e parë, 100.000 punësime për të rinjtë. 100.000, një numër që nuk është realizuar kurrë në Shqipëri. Vetëm turizmi ka një potencial të programuar nga ne për të realizuar 35.000 të rinj të punësuar. Bujqësia ka një potencial që realizohet brenda 4 vjetëve nga ne për 25.000 të punësuar. Infrastruktura ka një potencial plotësisht të arritshëm, për 25.000 dhe 15.000 të tjerë janë në sektorin shumë të rëndësishëm të shërbimeve, informatikës, shërbimeve juridike. Pra 100.000 vende pune për të rinj është një objektiv i qartë, i menduar mirë dhe që do të realizohet në drejtimin e LSI-së në katër vjetët që vijnë”, theksoi Vasili.
Ai shtoi se kjo mbështetje që LSI i jep të rinjve është edhe një nga arsyet kryesore se përse kjo parti do të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare.
“Prandaj kjo është forca jonë, prandaj dhe bindja jonë, prandaj dhe objektivi ynë është vetëm një: LSI forcë e parë! Kjo rrugë pa kthim e jona, ky objektiv pa kthim i yni, ka startuar prej ditësh po tani kërkon sprintin final, shpejtësinë maksimale dhe deri në 25 qershor duhet të mos na zërë gjumi, duhet të flemë me merakun se si e ç’bëmë sot, ç’bëmë gjatë gjithë orës e si kontribuuam ditën e sotme e të nesërme deri më 25 qershor, që LSI të jetë forcë e parë”,- nënvizoi Kryetari i LSI-së.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryetar i LSI, i cili shprehu edhe një herë mbështetjen e tij për të rinjtë dhe të rejat dhe vlerësoi kandidatët e kësaj force politike për zgjedhjet e qershorit./a.m.