Nga Shpëtim Nazarko
I pari që vlerësoi marrëveshjen si më të madhen në këto 26 vjet ishte Berisha. Më i hidhëruari ishte Meta, i cili për shkak të pozicionit të ri që merr pas 24 korrikut, e trasmetoi këtë hidhërim te pasardhësi në krye të partisë, Petrit Vasili, apo te funksionarë më të vegjël. Hidhërim pati edhe në partitë e vogla, por më të zbehtë. Partia demokratike i futi në lista kryetarët e këtyre partive dhe problemi këtu mbyllet.
Çfarë duhet gjykuar tani, megjithëse është shpejt të shohësh, ca përfundime që do të fillojnë të ravijëzohen me shpejtësi dhe ndoshta me egërsi gjatë fushatës?
Duket se LSI ka humbur përfundimisht atë rol që për shumë analistë ka qënë roli i atij që ka “Kycin e artë”. Në pikëpamje personale, nuk e kam besuar asnjëherë këtë. Roli duket sikur u zyrtarizua pas zgjedhjeve të 2009-s, ku LSI në fakt mezi arriti të futej në parlament, apo u fut në të vetëm me 4 deputetë. Një vështrim i ftohtë mbi zgjedhjet e vitit 2009 tregon një fakt të thjeshtë. Në 6 nga 12 qarqet e vendit, nëse PS do të merrte 0,2 për qind të votave më shumë, ajo do të arrinte vetë në 72 deputetë. Në një shtet si ky yni, kjo përqindje mund të zhduket, apo të ta marrin dhe nuk quhet ndonjë hata e madhe…
Po fill pas këtyre zgjedhjeve, ky rol i LSI-së u forcua dhe u zmadhua, proces ky që u pa në zgjedhjet lokale të vitit 2011, por dhe në ato të 2013-s. Pse ndodhi një gjë e tillë?
Për mua, ka pasur dy arsye themelore. PD shpërbleu në vitin 2011 zgjedhjet e fituara të 2009, ku katër deputetët e LSI I mundësuan fitoren. Berisha ishte brenda filozofisë së tij për të mos lejuar ribashkimin e të majtës me çfarëdolloj çmimi, sepse ndryshe rezultati dihej pa filluar loja e zgjedhjeve. Në këtë sens, ai mbylli sytë pavarësisht humbjeve të mëdha që i solli kjo taktikë në gjithë qytetet e mëdha të vendit.
Viti 2013 e riforcoi përshtypjen se LSI kishte rolin e madh të përmendur më sipër. Për shkak të sistemit zgjedhor, ajo mori nga aleati kryesor, PS, ato që quhen “mbetje”, një sasi të madhe deputetësh, që për një pjesë analistësh të specializuar me sondazhet mund të ishin 7 apo 8, pra gjysmën e numrit të deputetëve të saj.
Vetë Meta e quajti të padrejtë këtë lloj llogarie, në emisionin e Arian Çanit, duke theksuar se LSI mori 180 000 vota, çka do të thotë se ajo i ka marrë vetë gjithë deputetët, dhe jo si produkt i sistemit zgjedhor. Në një pikëpamje matematike, llogjika e Metës duket e saktë. Në një plan vështrimi tjetër, besoj se situata është pak më ndryshe.
Për ata që nuk i kanë qejf analizat me numra, por historinë, mund të themi drejpërdrejt se LSi është një parti e ngjashme me atë të PSD-së.
Kjo ngjashmëri nuk ka të bëjë me organizimin e partisë. Në këtë këndshikimi, LSI ndoshta është partia më e disiplinuar në vend, duke e kaluar edhe PS-në apo PD-në. Po të shtosh këtu edhe talentin natyror politik të Metës, duket se ngjashmëria e saj me PSD-në që përmenda, duket sikur zbehet, apo nuk ka asnjë lidhje.
Atëherë, ku bazohet arsyetimi se LSI nuk është ajo që shumë e mendojnë?
Duke iu kthyer ngjashmërisë me PSD-në, kujtojmë se dikur, kur Nanua grindej me Gjinushin, atëhere PSD rrudhej në maksimum, duke kaluar nga 15 deri në 3 për qind. Arsyeja ishte thjesht e karakterit pragmatik.
Kur kuptohej se marrëdhëniet midis dy partive ishin të mira, një pjesë e PS-së rreshtohej brenda radhëve të PSD-së. Kjo radhitje i mundësonte asaj që të mos merrte vendet kryesore më qeverisjen e radhës, por pozicionet dytësore, që ishin gjithsesi të mjaftueshme.
Kur marrëdhëniet prisheshin, atëhere PSD-ja rreshtohej përsëri në folenë e vjetër dhe të sigurt, pra atë të PS-së.
Kjo lloj manovre, që mund të çudisë shumë prej analistëve sot apo nesër, ka një arsye të thjeshtë. Ajo vjen nga mungesa e grupeve të caktuara shoqërore që përcaktojnë zhvillimin e vendit, duke u inkuadruar në parti që mbrojnë rigorozisht interest e këtyre grupeve.
LSI, që në origjinën e saj është pjesë po e PS-së, nuk ka asnjë arsye të dalë jashtë kësaj kornize të gjykuari. Ajo u mundua për një kohë të dallonte nga PS, për shkak të një qëndrimi më të qartë ndaj Luftës apo dëshmorëve. Kjo filozofi, tani kur në Shqipëri veteranët janë pakësuar në shumicë, zor se ka vend më, të paktën në planin e votave. Akoma më shumë duhet thënë se ka kohë që janë zbehur dallimet ideologjike. Vetë LSI e dha këtë ide apo shembull, duke afirmuar e para aleancën me PD-në.
Marrëveshja e tri ditëve më parë PS-PD e tregoi akoma më qartë këtë me mungesën e reagimit agresiv edhe nga ata që quhen apo emërohen zakonisht si militantë…
Përkundrejt këtyre arsyetimeve, mund të përdoret argumenti se LSI është më luajale apo preokupohet për sistemimin në punë të përkrahësve të saj. Po nëse merr parasysh se vendet në administratë janë pakësuar dhe statusi i nëpunësit civil e pakëson këtë mundësi, atëherë argumenti më sipër ka pak vlerë.
Mbetet përpjekja e LSI-së për t’u forcuar në fshat apo në punën me të rinjtë. Të dyja taktika të sakta, po a janë të mjaftueshme?
Karakteri pragmatik dhe intuita gjeniale e fshatarit, që e di mirë ku të rreshtohet kur në luftë janë vetëm “atlllarët”, besoj që nuk të lërë vend për imagjinatë të madhe. Mbeten vetëm të rinjtë… Në këtë pikë, ndoshta mund të përqëndrohet vërtet lufta e LSI-së për të shpëtuar nga rrethimi i dy partive të mëdha.
Po ka edhe një faktor tjetër që e vështirëson shumë problemin e LSI-së.
Në pamjen e parë duket se ngjarjet do të zhvillohen si në 2008-n, të cilat Meta i quajti tragjedi dhe këtë radhë si një komedi. Argumenti i tij duket i saktë, sepse sado të pakësohen radhët e saj, qoftë edhe për shkak të arsyetimeve të mësipërme, asnjë nga partitë e mëdha nuk e arrin vetëm numrin magjik 71. Kjo arsye e vetme do të mjaftonte të theksoje se një nga dy partitë e mëdha do të kërkonte me detyrim ndihmën e saj.
Në këtë arsye, natyrisht që duhet të jetë ndalur edhe Rama edhe Basha. Kjo të paktën për të mos acaruar atë, që duhet t’i kërkonin ndihmë pas zgjedhjeve…
Po çfarë do të ndodhte nëse dy të mëdhenjtë do ta zgjidhnin midis tyre këtë problem pa ndhmën e LSI-së?
Tani që arsyet ideologjike kanë rënë me kohë, kuptohet se përgjigjja është e thjeshtë. LSI do të ngelet në opozitë. Po nëse ky arsyetim i fundit kuptohet nga palët që tani, atëherë do të kemi një rrudhje të madhe të LSI-së, që nuk e di ku mund të mbarojë…
A ka të bëjë kjo analizë ndonjë bazë inati apo anësie ndaj LSI-së?
Në një pikëpamje që kërkon modernizimin e shtetit dhe bërjen me qetësi të reformave të mëdha, si ajo për Kushtetutën apo Integrimin, apo qoftë edhe për një kohë të shkurtër, marrëveshja e dy të mëdhenjve, sido që të jetë rezultati i tyre pas zgjedhjeve, është më e rëndësishme sesa zgjidhja e problemit nëpërmjet marrëveshjes së secilit me LSI-në.
Për mendimin normal, një marrëveshje e drejpërdrejtë pas zgjedhjeve e PS-së me LSI-në, e thellonte fitoren e të majtës, por një gjë e tillë ka pak gjasa të ngjasë.
Është një histori që PS-së i ka shkaktuar mjaft andralla gjatë këtyre katër vjetëve. Dhe nga ana tjetër, zor se çon në ndonjë reformë të rëndësishme, përballë një opozite agresive që është gati të pengojë çdo gjë në raste të caktuara.
Në një llogaritje personale, besoj se LSI i ka mbivlerësuar shanset e saja, duke filluar nga 2009 dhe kjo pavarësisht sukseseve në praktikë.
Kam idenë se ky mbivlerësim shansesh ka çuar shpesh në konfrontime të hapura apo të mbyllura, që i ashpërsuan marrëdhëniet mes dy partive. Në një logjikë normale, gjithnjë duke peshuar rolin dhe peshën e LSI-së, ajo duhet të kërkonte këtë rol brenda PS, ashtu si PSD e dikurshme, pa ambicie të mëdha. Apo nëse i referohemi shembujve nga jashtë, të krijonte një marrëdhënie të tipit CSU-CDU. Më shumë nuk mund të merrte dot asnjëherë për arsyen e thjeshtë. Sido që ta analizosh LSI-në në rastin më të mirë, ajo ka qenë dhe është pjesa më pragmatike e PS-së, e në rastin e një përplasjeje mes tyre, ajo shkon ashtu si PSD në vatrën nga ka dalë. Dhe kjo vajtje nuk ka të bëjë shumë me vullnetin e atij që udhëheq LSI-në.
Derisa në Shqipëri të mos ketë parti që përfaqësojnë realisht grupe të caktuara shoqërore, atëhere në pah do dalë gjithnjë vetëm karakteri pragmatik i një zgjedhjeje që bën një parti e caktuar dhe jo vetëm LSI.
Në një pikëpamje tjetër, besoj që kjo logjikë, ku pas zgjedhjeve ky karakter pragmatik i zgjidhjeve zhvillohet mes dy të mëdhenjve, na mbetet vetëm të urojmë që ata vërtet të bëjnë ndonjë punë konkrete në lidhje me reformat, e të mos vazhdojnë rrëmujën e njohur këto 25 vjet për interesa thjesht personale. Të presim e të shohim!/konica.al/
a.ç