Suedia ka hequr dorë nga hetimi i themeluesit të “WikiLeaks”, Julian Assange, i akuzuar për përdhunim. Pas 7 vitesh, mandatarresti i lëshuar në emër të tij tërhiqet dhe Assange mund të marrë frymë lirisht.
Për të shmangur dërgimin në Suedi, 45-vjeçari u strehua në vitin 2012 në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, e që prej atëherë nuk ka dalë më prej andej, nga frika e prangosjes dhe ekstradimit.
Assange kërkohej nga Stokholmi për t’u marrë në pyetje lidhur me pretendimet e ngritura nga dy gra për krime seksuale, të cilat ai i mohon me forcë.
“Kryeprokurorja Marianne Ny vendosi të ndërpresë hetimet ndaj Julian Assange”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e saj.
Praktikisht me Suedinë, tani ai nuk ka më asnjë problem. Por telashet nuk përfundojnë këtu. Nëse Assange tenton të largohet nga selia diplomatike e Ekuadorit, do të arrestohet nga forcat britanike të rendit.
Policia londineze ka një urdhërarresti ndaj 45-vjeçarit për mosparaqitje në gjykatë 29 korrikun e vitit 2012, të cilin është e detyruar ta zbatojë.
Një shkelje e tillë dënohet me deri në një vit burg, ose gjobë të rëndë. Mbretëria e Bashkuar nuk ka bërë ndërkohë asnjë koment, nëse ka marrë apo jo një kërkesë për ekstradimin e shefit të “WikiLeaks” në Shtetet e Bashkuara, ku Assange mund të përballet me gjyqin për publikimin e mijëra dokumenteve sekreteve të ushtrisë dhe diplomatëve amerikanë./a.m.