Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha arritën sot në orët e para të mëngjesit një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike. Të dy udhëheqësit kryesorë u takuan kokë më kokë në mbrëmje për më shumë se tre orë. Ata dolën së bashku përpara mediave për të njoftuar arrijtjen e kompromisit, por pa dhënë detaje. Zoti Basha tha se marrëveshja ka në bazë të ashtuquajtuarën “Platforma McAllister Plus” e cila iu ofrua si zgjidhje dy ditë më parë nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor. Zoti Basha tha se marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme. Zoti Rama nga ana e tij u mjaftua të deklaronte se ishte plotësisht dakort me pohimet e kreut të opozitës. Të dy më pas u ndanë duke shtrënguar duart me një gjest sportiv dhe aspak protokollar, si shenjë e një marrëveshjeje që i kishte kënaqur të dyja palët.
Ndonëse për afro tre muaj këmbënguli për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, opozita pranoi dje një tërheqje, përfshirë dhe nga disa kërkesa të tjera, duke deklaruar se është plotësisht dakort me propozimin e integruar të paraqitur ditën e hënë nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit Hoyt Yee. Një propozim i cili përfshinte të ashtuquajturën “Paketa McAllister” si dhe propozimet që më pas kryeministri Edi Rama bëri në dy takimet që ai pati me zotin Basha, ku oferta e shumicës kushtëzohej me përfshirjen e opozitës në komisionet parlamentare që do të duhet të përzgjedhin anëtarët e strukturave të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve./a.ç