Festa filloi! Tapeti i kuq u shtrua sot nën një diell shkëlqyes me rastin e Festivalit të 70-të të Kanës që hapi dyert nën masa të larta sigurie duke premtuar një edicion të pasur me personalitete të njohura që do të presë Nicole Kidman, Isabelle Huppert, Pedro Almodovar dhe Will Smith.
Arnaud Desplechin, është francezi, i cili do të ketë nderin të hapë këtë edicion të ri me filmin “Fantazmat e Ismaël”, një trekëndësh dashurie që bashkon për herë të parë Marion Cotillard dhe Charlotte Gainsbourg, përkrah Mathieu Amalric.
Dalë sot në kinema, filmi u prezantua në mesditë për medan, mbërritur në Kanë, rreth 4 500 gazetarë nga mbarë bota.
Para mbërritjes së yjeve të filmit në tapetin e kuq, gjuetarët e autografeve dhe fansat janë pozicionuar para pallatit të festivaleve. Nata e hapjes, me Monica Belluci do të fillojë në orën 19:00 me parakalimet e para të yjeve botërorë.
Aktorja italiane e kishte pasur tashmë këtë rol në vitin 2003.
“Është dashuria ime për kinemanë që më shtyn ta bëj këtë. Mendoj gjithashtu se duhet të falenderoj Festivalin e Kanës, pa të cilin rruga ime nuk do të ishte e njëjta”, theksoi ajo që ndodhet për të tetën herë në Kanë.
“Kurrë nuk kemi ftuar kaq yje ndërkombëtare, veçanërisht për një mbrëmje të jashtëzakonshme të martën e ardhshme që do të jetë pika kulminante e këtij edicioni të 70-të të festivalit”, theksoi presidenti Pierre Lescure.
Një darkë e madhe që do të mbledhë personalitete që kanë shënaur historinë e festivalit, pjesa më e madhe e të cilëve fitues të palmës së artë”, është njoftuar.
Emrat e tyre për momentin janë mbajtur të fshehtë, por i deleguari i përgjithshëm, Thierry Frémaux, premton një parakalim të bukur në tapetin e kuq.