Partia Socialiste prezantoi listen e kandidatëve për deputetë në qarkun e Gjirokastrës, me të cilet do të konkurojnë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Bledi Çuçi, drejtues politik dhe kryesues i listës së kandidatëve në këtë qark, gjatë prezantimit në sallën e teatrit “Zihni Sako”, vlerësoi se kandidatët Mirela Kumbaro, Flamur Golemi, Laert Duraj, Artemis Dralo, Matilda Çela dhe Elvira Pasho janë garancia për të bërë të mundur vijimin e transformimit të këtij qarku, në Jug të vendit.
Kjo skuadër, tha ai, është garancia që në 4 vjeçarin e ardhshëm të vazhdojmë rrugëtimin e nisur, për të ndryshuar jo vetëm Gjirokastrën, por gjithë Shqipërinë, për ta bërë një shtet si e meritojmë dhe pjesë të Europës. Ai solli në vëmendje se që nga ardhja në pushtet, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama ka investuar në total në qarkun Gjirokastër 50 milionë euro, pasi investimet përkthehen në rritje të punësimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Çuçi theksoi se më 18 qershor, shqiptarët duhet të zgjedhin mes partisë që garantoi se mund të bëjë shtet dhe që mund ta bëjë vendin pjesë të BE-se, ose një partie e cila synon pengimin e procesit integrues të Shqipërisë. Duke iu referuar qendrimit të opozitës, ai tha se protesta ka qëllim të vetëm bllokimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Edhe kandidatët e tjerë për deputetë, gjatë fjalës së tyre apeluan qytetarët të votojnë në 18 qershor PS-ne, si partia që do u sigurojë punë, mirëqenie dhe vijimin e projekteve transformuese.
ma.me