Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, njëherazi dhe kandidati që kryeson listën për deputetë të LSI në Durrës, është ndalur në një takim me banorë të lagjes 8. I shoqëruar dhe nga një pjesë e ekipit përfaqësues në listë, Koka, fillimisht ka bërë prezantimin e disa prej kandidatëve, Arb Shtylla, Firdoza Izvira, Arben Qato, Xhojana Gjineci dhe Skerdi Bello.
Lefter Koka, u ka thënë banorëve se qytetarëve po kërkohet tu tërhiqet vëmendje nëpërmjet surreales që sërviret në media.
“Një qytet i madh, një qark kaq i madh si Durrësi, kërkon njerëz që ti shërbejnë qytetit dhe qytetarëve me devotshmëri. Në paralament jam përfaqësuar pothuajse i vetëm, sepse deputetët aktualë të parlamentit, të të gjitha forcave politike, nuk ishin nga Durrësi. Nuk është normale që një njeri që e njeh një qytet një herë në 4 vjet, nuk është sensitive, i ndjeshëm për ti shërbyer atij qyteti”, tha Lefter Koka.
Ministri Koka, më tej tha para banorëve të lagjes 8 të Durrësit, se aktualisht kërkohet një lëvizje e madhe politike që qytetarët të mos jenë më pesimistë .
“Sot mendoj që kërkohet për të bërë një lëvizje shumë të madhe, sepse politika në vetvete është bërë shumë konfliktuale. Është bërë segmente të saj, kanë një lloj propotence dhe moskomunikimi me njerëzit. Parë nga një këndvështrim, të bëhesh pesimist thua: “ e gjithë politika nuk vlen”, po asnjë vend nuk funksionon pa politikë, doni apo jo një zgjedhje duhet bërë. Nëse bëhet zgjedhja e duhur, ju garantoj që do të bëhet shumë më ndryshe, për vendin sepse gjërat nuk janë të vështira”, tha Lefter Koka.
Ndërkohë, kreu i LRI Durrës, Arbi Shtylla, kandidat për deputet, u shpreh se, “sot shumë të rinj e të reja, të arsimuar, punojnë në vende pune të cilat nuk kanë fare lidhje me formimin e tyre arsimor. Ndihem i keqardhur kur shikoj që zgjidhja për shumë të rinj të qytetit tim është largimi nga ky vend. Ti ofromjë këtij qyteti një të ardhme më të mirë dhe ti ofrojmë më të mirën tone”.
Ndërsa banorët kërkuan që tu plotësohen kushtet minimale të jetesës, kryesisht punësim dhe infrastrukturë më të mirë për zonën dhe qytetin ku jetojnë. /a.m.