Nga Spartak Ngjela
Forca imagjinare ra përfundimisht.
Sot, në Tiranë, më 13 maj 2017, korrupsioni e humbi përfundimisht luftën: rreth 3 mijë njerëz të gënjyer nuk bënë dot asgjë. Pse, vërtet kishit menduar që antivlera mund të bënte revolucion antiperëndimor në një vend të përkrahur nga Perëndimi?
l.
Në fakt, pikërisht për këtë, kjo ishte një disfatë e sigurt. Ka shumë raste në histori kur fillimi dhe fundi i një procesi është e njëjta gjë.
Por nga kjo disfatë dallojnë që janë në pikëllim:
Dy liderët e Partisë Demokratike dhe Heronjtë e Çadrës që krijuan nonsenset e republikës së re.
Veçse duhet theksuar ndërkaq se në pikëllim janë gjithashtu edhe pritësit e mëdhenj të “republikës së re” shqiptare në Moskë, në Shkup, në Athinë dhe në Beograd.
ll.
Pas njëqind vjetësh në Tiranë dështoi haxhiqamilizmi i dytë: në fakt, sepse ishin të pafuqishëm esadistët e rinj të Tiranës. Edhe kjo pritej: dihet që Amerika sot është shumë më e fortë se Austo-Hungaria e djeshme, prandaj disfata neoesadiste ishte e sigurt.
Ishte një pamundësi absolute që çrregullimi mesjetar shqiptar të thyente aleancën aktuale shqiptaro-amerikane, dhe të pengonte anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
lll.
Gjithsesi, asgjë nuk mund të pritej, sepse realisht “revolucioni demokratik” i Berishës ishte një dëshirë për destabilizimin e Shqipërisë, në favor të antishqiptarisë së vjetër ballkanike.
Dhe kjo sepse kurrë nuk mund t’i drejtohesh shoqërisë që të të mbrojë pasi e ke nëpërkëmbur atë dhe, me qeverisjen tënde të korruptuar, e ke lënë në varfëri ekstreme.
lV.
Partia Demokratike mbeti jashtë zgjedhjeve, se vjedhësit donin të shkatërronin Shqipërinë me të vjedhurit, në mënyrë që të ruanin gjënë e vjedhur prej tyre. Kjo ishte vërtet një filozofi degadente dhe e padëgjuar kurrë në histori. Gjënë e vjedhur prej pushtetarëve të korruptuar e ruajnë policët dhe gjyqtarët e korruptuar, dhe kurrë një popull i vjedhur barbarisht. Ja, këtë nuk mund ta dinte Saliu.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk i përkrahën sot vjedhësit e vet: i lanë të vetëm ata në fatin e tyre drejt përplasjes ligjore. Dhe ajo do të vijë.
V.
Asgjë nuk mbeti më nga “revolucioni Berisha”: mirë Berisha dhe i programuari i tij Basha që bëjnë sikur kanë fituar; por më rëndë duket se janë firmëtarët e një republike të pa lindur.
Pse po heshtin heronjtë e Çadrës Republikë?
Heshtja e heronjve si rregull vjen ose si largim i tyre nga lufta, ose si mospranim i një paturpësie. Përkrahësit e Çadrës duhej ta kishin menduar më thellë fenomenin Berisha: ai tani ka marrë fund në Shqipëri.
Befas ata sot panë që “ushtria” e Berishës ishte iluzion optik si ai i Don Kishotit me kopenë e dhënve.
Në rastin kur koha mbylli sot një epokë të shëmtuar dhe të trishtë, shqiptarët ende s’kanë fituar gjë. Veçse ndërkohë e kanë në forcë të plotë tani aleancën me Shtetet e Bashkuara. Pengesa e zhvillimit modern dhe reformues të shqiptarëve u shkallmua sot nga vetë shqiptarët.
Reforma që vjen, nuk do të kursejë askënd.
Që sot shqiptarët presin të shohin të implementuar në vendin e tyre drejtësinë dhe përgjegjësinë ligjore të institucioneve moderne që duhet të drejtojnë shtetin me përgjegjësi.