Gjatë ditës së sotme qarkulloi në media lajmi i mbylljes së çadrës së protestës ditën e shtunë, pas protestës së paralajmëruar nga opozita. Lajmi i referohej burimeve nga PD, por nuk pati asnjë prononcim konfirmues. Grida Duma u duk sikur nënkuptoi mbylljen e çadrës kur tha se “ka arritur suksese, por ende nuk ka vendim zyrtar”. Fakti që përmendi togfjalëshin “Vendim zyrtar”, duket se konfirmon lajmin se ky opsion është diskutuar seriozisht nga PD.
Vet kryetari Basha deklaroi nga çadra pasdite se protesta do të vijojë deri në “instalimin e republikës së re. Për të gjithë ata që kanë merak, çadra nesër nuk do mbyllet. Çadra monument i demokracisë, do të vijojë qëndresën e saj popullore. Nesër çadra pret të gjithë bashkimin kombëtar””.
Ndërkohë, burimet e JavaNews, bëjnë me dije se një variant i ri po mendohet nga opozita. Të hënën pritet të mbërrijë nga SHBA zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee. Ai pritet të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje. SIpas burimeve, me gjasë PD pritet të pranojë një marrëveshje e cila nuk dihet ende se çfarë propozimsh mund të përmbajë tanimë, pas refuzimit të dokumentit të europarlamentarëve McAllister dhe Fleckenstein.
Tashmë mbetet vetëm të presim zhvillimin e protestës të shtunën dhe zhvillimet që do të pasojnë atë, ku me siguri një shans për mbylljen e çadrës do të jetë vizita e zyrtarit të artë amerikan./Java/a.m.