Del shkaku i vetëvrasjes, pse i dha fund jetës policja 23-vjeçare? Grupi hetimor, i ngritur nga Prokuroria e Durrësit për të hetuar vetëvrasjen e efektives 23-vjeçare, ka dyshime të forta se ajo mund të jetë shtyrë drejt këtij akti, pasi pak kohë më parë i kishte dhënë fund lidhjes me një kolegun e saj oficer policie në Tiranë. Për shkak të specifikës së çështjes, duke qenë se kemi të bëjmë me një rast ku viktimë është një punonjëse policie, hetimorët kanë qenë mjaft të rezervuar në dhënien e detajeve të tjera.
Ekspertët e hetimit kanë seleksionuar fillimisht një nga një pistat ku kanë kërkuar për ndonjë indicie që do t’i ndihmonte për të zbuluar shkakun që ka shtyrë efektiven drejt vetëflijimit.
Paraprakisht ata dyshojnë se ndarja nga i dashuri e ka ngarkuar psikologjikisht të renë deri në atë pikë sa ajo t’i japë fund jetës. Por konfirmohet se nuk përjashtohen as pista të tjera sa i përket shkakut që e çoi efektiven 23- vjeçare t’i japë fund jetës, vetëm 3 vjet pasi u fut në radhët e Policisë së Shtetit.
Burime nga Prokuroria thanë për gazetën se nga hetimet e deritanishme Paranxhela Shahini rezulton të mos ketë pasur asnjë shqetësim tjetër serioz në jetën e përditshme dhe as për shkak të detyrës.
“Po hetojmë me intensitet të lartë këtë ngjarje të rëndë. Pistat e verifikuara deri më tani rezultojnë se efektivja ishte një person shumë korrekt në punën e saj dhe vlerësohej maksimalisht nga kolegët dhe të njohurit e saj. Nuk rezulton që ajo të ketë pasur probleme për shkak të detyrës.
Edhe në familje gjithashtu na rezulton se jetonin në harmoni, në gjendje ekonomike të qëndrueshme. Pra, vajza s’ka pasur motiv të kësaj natyre për ta shtyrë drejt vetëvrasjes. Pas verifikimeve të këtyre të dhënave, dyshimet tona përqendrohen drejt një pike: te pista e një lidhjeje intime.
Pak kohë më parë, 23-vjeçarja i ka dhënë fund lidhjes me kolegun e saj nga kryeqyteti, i cili do të merret në pyetje”, sqarojnë burimet nga grupi hetimor, raporton “Panorama”.
Pasi kanë rindërtuar skenën e krimit, agjentët e hetimit e konsiderojnë vetëvrasje “eksperte” ngjarjen e dy ditëve më parë.
“Është vetëvrasje klasike, nuk ka asnjë dyshim. Ajo kishte kryer vrasjen e saj me ‘puqitje’ i themi në gjuhën shkencore (ka mbështetur pistoletën fort në bark). Kjo metodë përdoret nga personat që kanë njohuri mbi armët e zjarrit dhe e tillë ishte edhe efektivja. Nëse arma puthitet fort pas trupit, ulet ndjeshëm zhurma dhe predha shkakton dëme më të mëdha sesa goditja në distancë”, pohojnë ekspertët e krimit pranë grupit hetimor.
Policja 23- vjeçare u vetëvra me armën e shërbimit paraditen e kësaj të mërkure, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët dhe misterin e një akti që la të shokuar jo vetëm të afërmit, por edhe kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin.
Familja e efektives që i dha fund jetës me armën e shërbimit ka vendosur ta varrosë vajzën e re me fustan nusërie, veshje që vajza nuk pati mundësi ta vishte kur ishte gjallë.
Ajo nuk ka lënë për familjarët asnjë letër të shkruar, ku të shpjegonte arsyet e aktit ekstrem. Ndërkohë që sipas burimeve, pritet që në ditët në vijim të pyetet edhe kolegu i saj në Tiranë në lidhje me këtë ngjarje.
ma.me