Kryeministri Rama i shoqëruar dhe nga ministrja e Inovacionit Milena Harito kanë diskutuar me një grup të sapodiplomuarish rreth procedurave dhe ligjit të rekrutimit në shërbimin publik.
Kryeministri deklaroi se ligji jep garanci dhe se është minimizuar efekti mik, parti, para në shërbimin publik. Në harkun kohor të 10 viteve, Rama deklaroi se administrata do të jetë gjë tjetër.
“Pavarësisht që është moshë e re, eksperienca nuk është e madhe, por ajo që ka rëndësi është që ligji jep goxha garanci, kështu që tani ju nuk ju lëviz dot njeri se ka qejf. Jeni për një afat shumë të gjatë në administratë dhe ky lloj stabiliteti do të bëjë që në harkun e një 10-vjeçari administrata të jetë komplet gjë tjetër. Pjesa më pozitive për administratën është që në momentin kur e fiton vetë, dhe ke meritën tënde është komplet tjetër , dhe është kompljet tjetër në raport me punën dhe institucionin, se sa kur je aty si pasojë e një ndërhyrje. Kur vjen puna te shërbimi civil efekti mik, parti, para, është minimizuar shumë. Nuk mund të them se është eleminuar 100% se do të ishte gënjeshtër, po është minimizuar shumë. Realisht kush lufton e merr”, tha kryeministri Rama.
Ministrja Harito deklaroi se nga viti 2014, rreth 50 mijë vetë kanë aplikuar për tu bërë pjesë e administratës publike. Sipas ministres në sistem janë punësuar 2500 veta gjatë këtyre viteve./Javanews.al/a.ç