Partia “Sfida” bën të ditur se ishte sot pranë Ministrisë së Bujqësisë ku që prej orës 8 të mengjesit deri ne mesditë nuk ishin paraqitur një pjesë e madhe e stafit të rregjistruar në bordero.
““Sfida” ka si qëllim shkëputjen përfundimtare të politikës dhe militantëve nga administrata publike, misioni i vetëm i së cilës është ti shërbejë taksapaguesve. Në shumë institucionë shtetërore ka rënë heshtje varri pasi një pjesë e punonjësve janë në terren për të organizuar tubimet e zhurmshme në Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe anembanë” – thuhet në njoftim.
Një prej nismetarëve të “Sfidës”, kandidat për deputet në Tiranë, Gjergj Bojaxhi tha se shteti shqiptar është kapur nga militantët partiakë që përdorin taksat tona në shërbim të partive të tyre.
“Deri tani asnjë parti politike nuk ka marrë kurajon që të dalë para përkrahësve të saj dhe të deklarojë që nuk do të punësojë me asnjë militant. Shteti është i shqiptarëve dhe jo i partive. “Sfida” përvecse denoncon këtë braktisje të institucioneve në vend ka si mision të sajin që administrata publike të jetë e pavarur nga politika dhe ndryshimet e pushtetit.”
Sipas mbështetësve të “Sfidës” një pjesë e madhe e problemeve në zbatimin e ligjit është se zyrtarët që paguhen me taksat tona nuk i shërbejnë qytetarëve por partive politike. /b.d