Disa invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar për pak minuta para Qeverisë së Kosovës. Ata janë ankuar se po u shkelen të drejtat e tyre nga ana e Qeverisë, duke mos ua paguar pagat që u takojnë, raporton KP. Valentina Haliti, invalide e luftës, e cila në luftë kishte ardhur nga Shqipëria por sot nuk gëzon pensionin e saj që i takon me ligj.
Haliti tha se procesi i verifikimit të invalidëve është duke u zvarritur dhe për këtë arsye nuk po u njihet e drejta e pensionit. Ish-luftëtarja e UÇK-së që tash është e martuar në Skenderaj tha se shumica e invalidëve jetojnë në kushte të tmerrshme ndërsa plot njerëz në Kosovë gëzojnë miliona.
Edhe Xhevdet Jashari, që është plagosur në luftë ka treguar se nuk gëzon as pension por as nuk është i punësuar.
Nuk është hera e parë që në Kosovë protestojnë veteranët dhe invalidët e luftës. Qeveria e Kosovës ka sqaruar se invalidët e luftës nuk mund të marrin paga përderisa nuk formohet komisioni mjekësor që përcakton invaliditetin e tyre, përgatiti Koha. (b.an)