Pas takimit me kreun e shtetit Bujar Nishani, delegacioni i Kongresit Amerikan i kryesuar nga Bob Goodlatte është takuar me kreun e Kuvendit, Ilir Meta.
Ai ka uruar Metën për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës, dhe ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, rritjen e buxhetit në fushën e mbrotjes në kuadër të NATO-s dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe kredencialeve demokratike të Shqipërisë.
Dy palët diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të trafiqeve të paligjshme të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës në vend si një aktivitet që lidhet edhe me rrezikun e terrorizmit dhe krimit të organizuar në të gjithë rajonin.
Pavarësisht sfidave dhe problemeve në vend, theksoi z. Meta, Shqipëria është e përkushtuar ndaj axhendës së saj euro-atlantike.
c.a