Fatbardh Kadilli, sekretari për burimet njerëzore në Partinë Demokratike në një intervistë për emisionin “45 minuta” në Report Tv ka deklaruar se protesta e 13 majit do të jetë paqësore.
Ai u shpreh se nuk do të ketë akte dhune dhe se turma nuk do të dalë jashtë kontrollit nëse qeveria nuk provokon.
“Nuk do të ketë asnjë akt dhune. Nuk besoj se turma del jashtë kontrollit nëse qeveria nuk provokon. Nuk mendoj se demokratët nuk e dinë kurthin ku Rama do ta fusë PD”, u shpreh Kadilli.
Ai theksoi se ashtu siç nuk u zhvilluan zgjedhje në Kavajë nuk do të ketë as me 18 qershor.
“Nuk do të ketë zgjedhje me 18 qershor siç nuk pati në Kavajë. Ky është një vendim që e kemi marrë. Ne bashkë me qytetarët nuk do lejojë zgjedhje farsë”, tha ai.
Kadilli:Negociatat vijojnë edhe sot
Sekretari për burimet njerëzore në PD gjithashtu deklaroi se me iniciativën e ambasadorit Lu negociatat mes palëve vijojnë edhe sot.
“Pavarësisht klimës së sotme që duket sikur jemi në luftë negociatat politike mes palëve vijojnë edhe sot dhe Amabsadori Lu është një nga aktorët që mundësoi këto negociata”, tha Kadilli.
Kadilli refuzoi të tregojë hapat konkret që do të ndjekë Partia Demokratike në moslejimin e zhvillimit të zgjedhjeve të 18 qershorit duke thënë se opozita ka mjetet e befasisë.
“Ne bashkë me qytetarët nuk do lejojmë zgjedhje farsë. Opozita ka mjetet e befasisë. Do përdorim çdo mjet demokratik të mosbindjes civile për të mos lejuar zgjedhjet”, deklaroi Kadilli gjatë intervistës.