Një varrezë që mendohet të jetë e periudhës prehistorike, është zbuluar gjatë punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP në fshatin Turan të Korçës.
Gjatë gërmimeve kanë dalë në sipërfaqe 6 skelete njerëzore, që sipas arkeologëve datojnë 2600 vjet para erës sonë.
Skeletet jane gjetur në thellësi të vogël nga toka, ndërsa konturet e varreve rezultuan të dëmtuara, si duket nga punimet e fermerëve të zonës.
Ekspertët kanë nisur studimin paraprak të materialit arkeologjik, teksa shtojnë se ka të dhëna që të lënë të besosh se bëhet fjalë për një varrezë të përmasave të mëdha.
Arkeologët thonë se do të nisin kërkimet edhe për mbetje të tjera arkeologjike, si enë, vegla pune dhe zbukurime.
Pas zbulimit të varrezës, kompania ka ndërprerë punimet, në pritje të ekspertëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë./Ora