Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime e Rënda për Ilir Karçinin, i cili është dënuar me 5 vjet burg, pasi akuzohet se porositi vrasjen e biznesmenit në fushën e gazit Piro Bare.
Biznesmeni i njohur në fushën e hidrokarbureve, Ilir Karçini u dënua nga gjykata, pasi financoi shumën prej 120 mijë eurosh për t’i bërë atentat me eksploziv Piro Bares, të cilin e kishte konkurrent në tregtinë e gazit të lëngshëm.
Arrestimi i Karçinit
Karçini, i cili është aksioner i një kompanie hidrokarburesh, u arrestua nga forcat e Drejtorisë së Policisë Tiranë, pasi Julian Sinanaj vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe rrëfeu aktivitetin kriminal. Ai përmendi emrin e biznesmenit si urdhërues i vrasjes së Piro Bares. Nga hetimet dhe referuar dëshmisë së Sinanajt, rezultoi se për vrasjen e biznesmenit Piro Bare, Sinanajt i ishin ofruar 120 mijë euro. Ai ka pohuar se shuma e parave i është ofruar nga Andon (Erjon) Mëhilli, i cili ndërmjetësonte urdhëruesit e krimeve me të dyshuarin si vrasës me pagesë. Nga dëshmia rezulton se biznesmeni Bare do të ekzekutohej më 25 janar 2014 dhe porositësi i krimit sipas Sinanajt është biznesmeni Karçini. Sinanaj u tha hetuesve se kishte bërë studimin e të gjitha lëvizjeve të biznesmenit, të cilin e kishte filmuar me qëllim që të mos ngatërronte shënjestrën. Madje, sipas prokurorisë, fotot e biznesmenit dhe të makinës janë gjetur në celularin dhe aparatin fotografik të Sinanajt.
Ky i fundit ka pohuar gjithashtu se biznesmeni i është prezantuar në distancë nga Andon Mëhilli, teksa Piro Bare ndodhej në një kafe në afërsi të liqenit artificial. Por, prishja e pazareve mes tyre bëri që Sinanaj dhe furnitori i tij, Ndriçim Gjokona, që ka pasur statusin e të penduarit, të përplaseshin dhe ky i fundit ta denonconte në polici. Edhe pse Sinanaj e kishte bërë gati planin e ekzekutimit, nuk ka mundur ta vërë në zbatim, pasi më 25 janar ai u arrestua në afërsi të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Ilir Karçini u gjykua në një proces me gjashtë të akuzuar të tjerë të dosjes së njohur me emrin “Banda e Tritolit”. Në këtë proces të pandehur ishin Ilir Karçini, Julian Sinanaj, i cili ndonëse ka pranuar të gjitha vrasjet, ka mbajtur statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe Ndriçim Gjokona. Anëtarët e të cilësuarës si “Banda e tritolit” u akuzuan dhe dënuan për krime mjaft të rënda, nga akte terroriste, vrasje e plagosje. Konkretisht, Gjykata e Krimeve të Rënda dha në total 85 vite burg dhe një burgim të përjetshëm për 7 të pandehurit e cilësuar si “Banda e tritolit”, me në krye vrasësin Julian Sinanaj. Krimet e Rënda kanë dënuar me 35 vite burg Julian Sinanajn, 10 vite burg Genis Mëhillajn, i cili është ende në kërkim. Me 8 vite është dënuar Ndriçim Gjokonaj, 19 vite ka dhënë gjykata për Marjon Mitron, 8 vite burg për Albin Mexhajn, 5 për biznesmenin Ilir Karçini dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Andon Mëhillajn.
c.a