Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter duhet të mbërrijë sot në mbrëmje në Tel Aviv për të diskutuar mbi nevojat për sigurinë e Izraelit me kryeministrin, Benjamin Netanyahu, në ndërkohë që do të takohet edhe me homologun e tij, Moshe Yaalon.
Pas vizitës në Izrael, Carter do të shkojë edhe në Arabinë Saudite dhe Jordani, në një përpjekje për të garantuar aleatët në Lindjen e Mesme lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Sidoqoftë, Netanyahu, kritikoi ashpër marrëveshjen në prag të vizitës së Carterit.
”Iranianët nuk bëjnë as më të voglën përpjekje për të fshehur përdorimin e qindra miliarda dollarëve për të forcuar aparatin e tyre terrorist dhe luftën kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj”, theksoi Netanyahu.
”Marrëveshja për programin bërthamor me fuqitë e mëdha nuk do të ndyshojë politikën e Iranit përballë qeverisë arrogante amerikane, as mbështetjen e tij për miqtë në rajon”, deklaroi dje nga ana e tij lideri suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei.
“Republika Islamike e Iranit nuk do të heqë dorë nga mbështetja për miqtë e saj në rajon, popujt e shtypur të Palestinës, Jemenit, popujt dhe qeveritë siriane dhe irakiane, popullin e shtypur të Bahreinit dhe luftëtarët në Liban dhe në Palestinë”, theksoi lideri suprem në një fjalim me rastin e faljeve për Fitër Bajramin.