Një 26-vjeçar nga Bulqiza është arrestuar pasditen e së shtunës nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka goditur me grusht për shkak të detyrës mjekun roje te Spitali Ushtarak. Incidenti ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, ku fillimisht autori është ndalur nga shërbimet e policisë që ndodheshin tek urgjenca.
Më pas është bërë arrestimi i tij, pasi ka bërë kallëzim edhe mjeku i dhunuar. Burime nga Policia e Tiranës thanë se i arrestuari është Shpendi Shyti, 26 vjeç, i cili kishte dërguar të ëmën në urgjencë me dhimbje të forta stomaku.
Në gjendje të tensionuar i riu është revoltuar me mjekët dhe infermierët e spitalit, pasi sipas tij po vonoheshin shumë, ndërsa e ëma kishte dhimbje.
Fillimisht personeli i spitalit ka tentuar ta qetësojë duke i thënë se mjeku po vinte, pasi po mjekonte një pacient tjetër, por Shyti është nervozuar edhe më shumë.
Në momentin që pranë nënës së tij ka shkuar mjeku roje, me iniciale F.N., 26-vjeçari ka nisur ta ofendojë dhe ta kërcënojë, duke i thënë se po neglizhonte detyrën dhe nuk po i jepte ndihmën e nevojshme nënës së sëmurë. Në kohën kur doktori po vizitonte shtetasen 49-vjeçare S.Shyti, i riu e ka goditur atë me grusht në fytyrë.
Në këtë moment kanë ndërhyrë infermierët, por edhe shërbimet e policisë që ndodheshin te dera e urgjencës, pasi i riu po tentonte ta godiste sërish, pavarësisht thirrjeve të nënës së tij që të qetësohej.
Burimet thanë se Shpendi Shyti është ndaluar nga shërbimet e policisë dhe është transportuar në Komisariatin nr.3, ku është mbajtur i izoluar deri mbrëmjen e së shtunës, kur iu komunikua arrestimi. Kurse mjeku i dhunuar ka vijuar me mjekimin e nënës së 26- vjeçarit, ndërkohë që personeli i spitalit ka lajmëruar familjarët e tjerë të saj.
Më pas, mjeku F.N. ka bërë kallëzim për goditje për shkak të detyrës, duke sqaruar edhe rrethanat e incidentit. Në lidhje me ngjarjen kanë dëshmuar edhe personat e tjerë që kanë qenë të pranishëm në urgjencën e Spitalit Ushtarak, kur 26-vjeçari ka goditur doktorin.
Vetë i arrestuari është shprehur i penduar për veprimin që ka kryer, duke thënë se ka qenë i nervozuar dhe se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Megjithatë, ai është arrestuar me akuzën “goditje për shkak të detyrës”. panorama
ma.me