Deputetja e PD Majlinda Bregu ka kundërshtuar hapur vendimin e kryetarit të PD Lulzim Basha për të bojkotuar zgjedhjet e 18 qershorit. Sipas saj, nuk mund të konsiderohet fitore moszhvillimi i zgjedhjeve. Bregu ka shkuar edhe më tej duke kërkuar rindërtim të PD-së.
“Nuk e shoh me vend që të heshtet përpara një situate, më të rëndën që po kalon PD. Nuk mund të hesht për bojkotimin e zgjedhjeve. Një frikë nuk mund të më ndahet, frika se po i japim alibi Ramës dhe mazhorancës që të mbretërojnë në një qetësi të pashoq në parlamentin tjetër.
Miqtë tanë ndërkombëtarë s’e kanë lënë vetëm PD-në as në 97-ën. Kjo do na vejë në vështirësi edhe me miqtë ndërkombëtarë të PD. Zgjedhjet që nuk zhvillohen nuk duhet të konsiderohen fitore, siç është rasti i Kavajës. S’e gjej me vend që ne të jemi ata që ata i lënë qytetarët në një klimë tensioni.
Kam frikë se, dalja, vazhdimi i mosbindjes civile jashtë institucioneve nuk e bën PD-në më të madhe. Ky shqetësim nuk është vetëm i imi, është halli i atyre demokratëve sot që do të mbeten të papërfaqësuar.
18 qershori nuk do të jetë ditë zgjedhjesh, nuk mund të trajtohet sikur të jetë 29 nëntori i Enver Hoxhës. Pas kësaj situate detyra kryesore e çdo demokrati është rindërtim i PD-së.”- tha Bregu