Britania e Madhe është e vendosur të bashkëpunojë me SHBA-në për eliminimin e ISIS-it nga Siria deri në Irak, deklaroi kryeministri britanik, David Cameron në një intervistë.
“Unë kërkoj që Britania e Madhe të bëjë më shumë”, i deklaroi Cameron programit ”Meet the Press” të televizionit amerikan, NBC.
Cameron i bëri këto komente pasi grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ”Reprieve”, me qendër në Londër, zbuloi dokumente sipas të cilave pilotë britanikë kanë marrë pjesë në sulmet, nën drejtimin amerikan, kundër ISIS-it në Siri.
Ushtria britanike ka tashmë edhe lejen e parlamentit për sulme kundër xhihadistëve, por vetëm në Irak, pasi ai, në vitin 2013, kishte votuar kundër sulmeve në Siri.
Cameron tha se qeveria e tij po diskuton sesi lufta kundër militantëve mund të zgjerohet, në ndërkohë që në këto bisedime është përfshirë edhe opozita.