Për herë të parë, Tirana është kthyer në “shtëpinë” e 230 artistëve të rinj nga Mesdheu dhe Europa, pjesëmarrës në edicionin e 18 të Bienales së Artistëve të Rinj “Mediterrane 18”, duke e renditur vendin tonë në axhendat kulturore ndërkombëtare.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi dje në mbrëmje disa nga aktivitetet e organizuara nga artistët pjesëmarrës. “Jam shumë i lumtur që e gjithë Tirana është mbushur me aktivitete.
Dua ta përdor këtë mundësi për të ftuar të gjithë qytetarët, por sidomos të rinjtë, duke qenë se edhe 230 artistët që na kanë ardhur nga e gjithë Europa, Mesdheu, janë të rinj dhe shumica e artit provokon ide te rinia. Në çdo cep të Tiranës po ndodh nga një gjë; Te sheshi “Nënë Tereza” kemi Si’Xhaden, te Turbina një shfaqe tjetër e kërcimit modern, te Reja po ashtu, te Parku Rinia, te Tulla. Pra, e gjithë Tirana ka një gamë të gjerë eventesh artistike, ndaj besoj se është një mundësi fantastike për qytetarët për të aksesuar art dhe artistë të mirëfilltë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku falënderoi artistët pjesëmarrës në Bienale, të cilët kanë provokuar debate, për të cilat sipas tij shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë. “Jemi në prag të zgjedhjeve, ka gjithmonë debate të mëdha politike, por siç e shikoni ka edhe jetë. Njerëzit nuk jetojnë vetëm me politikë, jetojnë edhe me art, me kulturë, me filma, me muzikë. Ndaj, besoj se duhet të japim mesazhin se jeta vazhdon. Pavarësisht ngërçeve të momentit që mund të kemi në Shqipëri dhe në Kosovë, njerëzit duan të jetojnë dhe kjo është mënyra më e mirë se si e gjallërojmë jetën në Tiranë”, tha Veliaj, duke u shprehur optimist se edhe pas Bienales së Mesdheut, do të ketë të tjera mundësi bashkëpunimi.
Një prej kuratorëve të Bienales, Eroll Bilibani falenderoi kryebashkiakun Veliaj për bashkëpunimin dhe për mundësitë që u janë ofruar artistëve për të performuar. “Unë besoj se ky është vetëm fillimi sepse kryetari i Bashkisë së Tiranës ka krijuar hapësira të bukura publike. Ne besojmë se publikun mund ta angazhojmë edhe përmes artit dhe kulturës”, tha Bilibani.
Bienalja e Mesdheut përfshin një sërë aktivitetesh deri në datën 28 maj. Në krye të Mediterraneas janë kuratorë të njohur në zhanre të ndryshëm si: Jonida Turani për Artet e Aplikuara, Maja Çiriç për Artet Pamore, Ema Andrea për performancat, Maria Rosa Sossai për Letërsinë e Leximin, Alban Nimani dhe Rubin Beqja për muzikën, si edhe për filmin, Eroll Bilimani.
c.a