Pasi deklaroi vendimin për tërheqjen e kandidatit te Kavajës, kryeministri Edi Rama i kujtoi kryetarit të opozitës, se do ta presë për negociatat deri në datën 7 maj, e cila është edhe dita e fundit brenda afateve ligjore përpara se KQZ të nisë shtypjen e fletëve të votimit.
Shqipëria ka një kontratë me kompaninë sllovene “Cetis” për shtypjen e fletëve te votimit. Në bazë të kontratës, kompanisë duhet t’i dorëzohen fletët e votimit deri në datën 7 maj, në mënyrë që ti ketë gati për zgjedhjet e 18 qershorit.
Për këtë arsye, Rama ka paralajmëruar se nuk do të jetë i gatshëm për asnjë negociatë, përtej datës 7 maj, shkruan Shqiptarja.com
“I përsëris Lulzim Bashës, lëre tani Kavajën hiqe nga mendja se mund ta shtysh me provokime, jo datën por as afatin fundit të mundësisë për të hyrë në zgjedhje që është 8 maji dhe fokusohu te zgjidhja që të është ofruar deri më 7 maj. Unë jam gati të ulem përsëri me Lulzim Bashën por këtë herë për të detajuar ofertën që ai ka në tavoline jo për ta filluar nga e para avazin e qeverisë teknike dhe të shtyrjes së zgjedhjeve në kalendar greke, me sebepin qesharak të përgatitjes së votimit elektronik. Zgjedhjet do të bëhen me 18 qershor dhe të hënën me 8 maj unë nuk jam më në dispozicion për Lulzim Bashën dhe PD-në, nëse deri të dielën ata nuk bien dot dakord për ofertën, për ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODHIR-it dhe zhbllokimin e Vettingut, natyrisht. Edhe fare pak durim u kërkoi të gjithëve. Jemi në prag të një zhvillimi me rëndësi të madhe me vendin tonë”, tha Rama në konferencën për shtyp një ditë më parë.