Votimi i një ligji që bie në kontradiktë me vlerat gjermane nuk duhet të lejohet kurrsesi. Ky është paralajmërimi i udhëheqësit të socialdemokratëve, Martin Schulz, që shton se turqve që jetojnë në Gjermani duhet t’u ndalohet votimi për rivendosjen e dënimit kapital në Turqi.
Schulz, kandidat i partisë së tij SPD për Kancelar të Gjermanisë në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, tha në një intervistë për “Der Spiegel”, të publikuar këtë të premte, se nëse qeveria turke do të vendosë mbajtjen e një referendumi për dënimin me vdekje, “duhet ta ketë mëse të qartë se një votim i tillë nuk mund të kryhet për turqit që jetojnë në Gjermani”.
“Ne nuk mund të lejojmë votimin në Gjermani për një ligj që bie në kontradiktë me vlerat tona dhe me Kushtetutën tonë”, tha Schulz, duke i bërë kështu jehonë deklaratave të ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, më herët gjatë kësaj jave.
Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tha gjatë ditës së sotme se do të ishte “politikisht e paimagjinueshme” të lejohet një votë e tillë mes popullit turk që jeton në Gjermani.
Turqit që jetojnë jashtë Turqisë, përfshi këtu 1.4 milionë shtetas që jetojnë në Gjermani, kanë pasur mundësi të votojnë në referendumin e muajit të kaluar mbi ndryshimet kushtetuese.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka sugjeruar se mund të mbajë një referendum edhe mbi rikthimin e dënimit me vdekje, nëse Parlamenti kombëtar refuzon propozimin për këtë gjë.
Në mars, Erdogan tha se pret që Parlamenti turk ta mbështesë këtë plan. Ai ka bërë fushatë për rikthimin e dënimit kapital që pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik të vitit të kaluar. Dënimi me vdekje është hequr në vitin 2004, në vazhdën e përpjekjeve të Turqisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, përgatiti Express. (b.an)