Këtë intervistë që dritare.net po e sjell të plotë, Agim Fagu, kandidat për deputet i Partisë Socialiste, e ka dhënë në maj 1996 për gazetaren Rudina Xhunga.
Zyrtarisht kjo ka qenë edhe intervista e tij e parë.
Kur e lexon, krahason me mend listat e 2017 dhe vështirë se të vjen ndërmend dikush i ngjashëm, si Fagu 21 vjet më parë.
Nga Rudina Xhunga
Njërin prej yjeve të basketbollit shqiptar, magjistarin e topit, shumëkush e kujton si “Zotëria 48”. Kjo pse, pas ndeshjes Partizani-Oransoda, ku Fagu shënoi 48 pikë, gazeta italiane “Corriere della Sera” e epiteton pikërisht “Mister quarantotto”.
I lindur në Tiranë në një familje sportistësh ai s’mund të rritej ndryshe veçse si fëmijë sporti. Nis karrierën sportive në moshën 16 vjeçare. Po kaq herët bën pjesë në skuadrën përfaqësuese gjatë lojërave të GANEFOS. Përgjatë 14 viteve luan vetëm me “Partizanin”, fiton me të 9 kampionate kombëtare. 7 Kupa të Shqipërisë, merr pjesë në 8 Kupa të Europës, merr dhjetëra çmime ndërkombëtare e kombëtare midis të cilave: Mjeshtër Sporti në 67, Mjeshtër i Merituar Sporti në 69, në Turneun Olimpik në Holandë 1972 shënuesi më i mirë, në Kampionatin Europian në Gjermani 1974 shënuesi më i mirë etj.
Më shumë se shumë mund të thuash për basketbollistin e kurorëzuar me dashurinë e publikut sportdashës, e jo thjeshtë të tij.
Ndodh në vitin 78 “divorci” i Fagut me sportin. Idhulli i mijëra e mijëra njerëzve, që e shoqëronin pasionantë ndeshjeve, ai që dinte aq bukur të luante, të magjepste, të përcillte emocion, nuk kishte si të mos dinte të largohej bukur e përgjithmonë nga parketi.
Iku heshturazi, jo tinzarisht. Nuk kishte ekstravagancë në atë largesë, por elegancë si në gjithë ndeshjet e tij. Mungesa e gjatë sjell harrim, ose përndryshe e detyrimisht kujtesa kolektive të bën anëtar të saj.
Nga idhull të kthen në mit. Dhe s’ka dyshim që për kujtesën sportive shqiptare, Agim Fagu ngelet mit i basketbollit shqiptar.
Po a i mjafton kjo? Ç’boshllëk personal do të mbushë politika tek ai? A e ka politikën thjeshtë hobi? Pse pikërisht kandidat i Partisë Socialiste?
Ju kanë quajtur dhe “Shtraus” të basketbollit shqiptar e megjithatë, sado imtësisht t’i kontrollosh gazetat, nuk gjen asnjë intervistë me ju.
Dikur intervistat nuk ishin të modës, ndaj në gazetat e asaj periudhe nuk ka si të gjesh intervista me mua. Ka 4 vjet që ato janë bërë aq shumë të modës, sa unë nuk e kam gjykuar të nevojshme të pranoj të intervistohem. Zyrtarisht është kjo intervista ime e parë.
Shkakton çudi njeriu publik pranë mungesës së publicitetit.
Nuk them se ia kam mohuar publicitetin vetes. Kur gazetarët më kanë kërkuar informacion kam pranuar. Unë e kuptoj se A-ja e të qenit njeri publik është komunikimi me publikun, të cilin kur isha basketbollist e realizoja duke luajtur. Tani që kam vendosur kandidaturën për deputet, fakti që pranoj të jap intervistë, tregon se kam nisur të vendos të tjera marrëdhënie komunikimi.
Ju e keni provuar shijen e të qenit publik hershëm. Ç’mund të tregoni?
Padyshim të qenit njeri publik në kohëra të ndryshme është i ndryshëm, sepse dhe publiku ndryshon. Por për njerëzit, veçanërisht për rininë në atë kohë, sporti ishte gjithçka, ishte hidhërimi, gëzimi, shqetësimi. Për sportin mendohej, diskutohej, lumturohej, qahej. Vërej se sot është më e lehtë të bëhesh publik, siç është më e lehtë të harrohesh. Dikur ishte ndryshe, me vështirësi të pranonin e vështirësisht të harronin. Mendoj se për publikun siç ka qenë atë kohë nuk mjaftonte aftësia jote sportive për ta kënaqur. Ç’vlente ishte dhe jeta jote personale, mënyra si silleshe, jetoje, sepse detyrimisht ishe objekt vëzhgimi. Duhej kaq shumë kujdes për të mos dalë nga kuadrati i kohës.
Cili ishte kuadrati juaj personal?
Pa hipokrizi, pa shtirje, ajo çka qenë dhe mbetet kryesore për mua është ndershmëria.
Mos është lakuar shumë kjo fjalë?
Fjala është e përdorur, por në praktikë e keqpërdorur. Ndershmëria nuk matet me sa herë ti e përmend në publik, por sa herë publiku e përdor atë kur flet për ty. Dhe kjo është relative gjithsesi. Secili ka arsyet e veta, por mua pavarësisht se koha kalon dhe gjithkush ndryshon, më duket se morali, virtytet janë të ndërtuara mbi një bazë të pandryshueshme.
Në 18 qershor ’95 “All Star Game” luajti me skuadrën përfaqësuese. Dalja juaj në parket u përjetua nga rreth 2000 spektatorët si rikthimi i një ylli. Ç’ndjetë?
E vërteta është që ajo ndeshje doli jashtë parashikimeve të mia. Unë shkova me nostalgjinë për të takuar ata që për kaq vite i desha dhe më deshën. Ndërkaq ajo ditë u kthye në një ngjarje të jashtëzakonshme të jetës sime, gati në një nga kulmet jo thjesht sportive, por edhe shoqërore. Aty pashë njerëz që kishin vite e vite që nuk vinin në stadium. Atë ditë ata nuk ishin vetëm, morën dhe bashkëshortet e fëmijët e tyre. Atë ditë, ata dhe ne që luanim, kujtuam rininë tonë, sukseset tona. Kujtuam bashkë shumë, shumë. Ndjenja që përjetova fuqishëm ishte se dashuria e vërtetë nuk shuhet kurrë, si flakë kashte.
Pikërisht në atë moment kur mësuat se nuk ju kishin harruar, mos rastësisht menduat se ky popullaritet që gëzonit duhej shfrytëzuar?
Ah jo, asnjë mendim i tillë nuk më kaloi nëpër kokë. Unë thjesht përforcova besimin se respekti i vërtetë duhet merituar. Pastaj atë ditë ju gëzova shumë takimit me shokët, me ata që për vite të tëra, kishim ditur të falnim dhe të merrnim kënaqësi. Vetëm duke qenë sërish bashkë, ndonëse jo në formën sportive të dikurshme, ne mundëm të realizonim një spektakël që kthehu në stadium njerëzit tek shpërthimet e viteve të rinisë së tyre.
Ç’lloj përgjigje mohuese do jepnit ju për bindjen se sportistët shoqërohen me ovacione, dashurohen, pëlqehen, por për intelektin e tyre nuk mund të flasësh kurrë në superlativë?
Intelekti i sportistëve është pjesë e intelektit të përgjithshëm kombëtar. Sa më pak i zhvilluar të jetë një komb aq më shumë mendime si ai që shprehët, sundojnë. Sa më shumë i zhvilluar të jetë kombi aq më tepër vlerësohen edhe sportistët. Nuk besoj që vendet që vendosin në piedestal Pelenë, Maradonën etj., kanë kulturë të mangët. Për mua sportistët janë njerëz me intelekt, që si gjithë njerëzit e tjerë ndahen në kategori. Siç ka mjekë, inxhinierë, mësues të dobët, ka dhe sportistë të tillë. Një sportist pa vlerë, fare lehtë mund ta fërshëllesh, por mjerë ai që bie në dorë të një doktori të keq…Për sa i përket basketbollit ai është një sport pak i veçantë pasi në gjithë botën luhet pothuaj nga studentët. Në vitet ’70 kur ne luanim basketboll, në Shqipëri 90 % e basketbollistëve ishin universitarë. Dhe kjo është një nga arsyet e mëdha që basketbolli në ato vite pati një hop të jashtëzakonshëm, pikërisht pse shprehte karakterin shqiptar të lidhur me intelektin. Kjo është dhe baza për një sport të zhvilluar.
E megjithatë ju e braktisët basketbollin. Largim i detyruar, apo i mirëmenduar?
Për mua kjo është një enigmë personale. Që tani unë të jap një përgjigje të saktë dhe ju ta pranoni për të tillë, kjo është krejt e pamundur, pasi do t’ju duhej të dinit pak më shumë se ç’dini për ato labirinthet burokrate, për drejtuesit mediokër që kërkojnë të të depersonalizojnë, për fërkimet, përplasjet, për botën shpirtërore të sportistit, për atë njeriun e lodhur dhe stërlodhur që pavarësisht nga dëshira e tij i duhet të dalë të luajë. Ndoshta e kam gabim, por arti më duket më komod.
Sportisti bën art në kushte shumë më të vështira. Artisti del në skenë dhe shpalos aftësitë e veta, talentin dhe zotësinë e tij, ndërsa në sport s’varet gjithçka nga ti, për të mos thënë që je i kushtëzuar totalisht nga kundërshtari, i cili nuk të lejon të bësh atë që di dhe do. Pra ndonëse mendja jote vepron, ti ke përballë një mendje që kundërvepron. Ndaj ngulmoj të pohoj se sportisti ka një botë shpirtërore krejt të ndryshme nga ajo e një njeriu të zakonshëm dhe si i ndryshëm duhet trajtuar.
Këto bashkë janë arsyet pa arsye që ndoshta më shtynë të mendoja se s’po më trajtonin si njeri të lirë, se po të vazhdoja të qëndroja ende, do krijohej çarja e madhe, se ndërkaq unë kisha profesionin tim të cilit mund t’i kushtohesha. Dhe u binda se duke vazhduar do t’i bëja dëm mënyrës së të jetuarit tim. Kisha kontribuar brenda aftësive dhe erdhi momenti kur e lashë përfundimisht atë të cilit i isha kushtuar për vite të tëra me mundësitë e mia maksimale.
Sakaq ishit në kulmin tuaj. Mos u treguat shumë egoist ndaj spektatorit që ju donte?
Largimi im i beftë ishte humbje morale. Ndjeva rreth vetes aq shumë mërzitje, mëri, të atyre që më kishin shoqëruar ndeshjeve, sa u mendova dhe mendohem ende sot, mos isha larguar pak më shpejt se ç’duhej?! Atë vendim unë një ditë do e merrja, por ndofta e kisha përshpejtuar. Sepse kujtoj që ndihesha vërtet keq, kur më takonin njerëz rrugës dhe deklaronin se nuk hynin më në Pallat të Sportit. E megjithatë ata nuk reshtën së rrethuarmi me dashuri. Marrëdhëniet e ndera i krijova me gazetarët. Pas largimit në gazetën e sportit nuk përmendej kurrë emri im, sepse intuitivë nga natyra gazetarët e patën kuptuar se ishte një emër i padëshirueshëm. Atëherë unë ju thashë: “Nëse tani keni frikë të shkruani për mua, unë kurrë më do të jem i gatshëm të flas për ju”. Dhe e mbajta fjalën.
Ç’ndodhi më pas me profesionin tuaj?
Ndodhi ajo çka kisha parashikuar. Gjithë pasionin, dashurinë, punën, unë ia kushtova mësuesit të anglishtes në shkollën e gjuhëve të huaja.
Nuk ju dukej pak?
Përkundrazi isha i kënaqur, krijova marrëdhënie të mrekullueshme me nxënësit e mi dhe do të vazhdoja me kënaqësi të qëndroja pranë tyre nëse nuk do më kërkohej në kulmet e punës sime të kaloja në Tregtinë e Jashtme, së bashku me një grup mësuesish të gjuhëve të huaja.
Pas një kursi 4 mujor special, unë nisa të punoj në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme nga ’78 deri në ’92-shin kur një shkresë qeveritare më ktheu nga atashe tregtar në Athinë, në një të papunë.
Dilni në pension në moshën 45 vjeçare dhe ju duhet të mendoheni mirë për të gjithë ç’keni bërë deri në atë moment.
Dalja në pension aq shpejt më dha një tjetër mësim në jetë. Për fat të mirë unë kam qenë sportist dhe si i tillë kam ditur të mësoj jo vetëm nga sukseset, por dhe nga pësimet. Ajo që mësova unë ishte se demokratë nuk janë ata që thonë jemi demokratë, por ata që veprojnë si demokratë. Megjithatë përsëri falënderoj njerëzit që mu gjendën afër, që më ngushëlluan, që s’e pranonin dot daljen time në asistencë. Pak nga pak nisa dhe unë t’i përshtatem ambientit, nisa t’i kushtohem zanatit më në modë në Shqipëri, zanatit të tregtarit, për të cilin nuk më dukej se më mungonin njohuritë.
Si ndodhi që qeveritarët aktualë nuk afruan një njeri popullor si ju?
Më kanë afruar, por shumë vonë. Më kërkuan pak muaj më parë dhe unë ndjeva se më ofenduan sërish. Po të qe se vërtet më respektonin kanë pasur 4 vjet për të ma treguar këtë, ndërsa këto muajt e fundit sikur është vonë.
Më mirë vonë se kurrë….
Ishte thjesht nevojë, shfrytëzim, hipokrizi. Por sado nevojë të kem, asnjë nga këto ç’thashë më sipër nuk është në karakterin tim.
E ndërkaq ju pranoni të kandidoni për Partinë Socialiste.
Unë nuk jam anëtar i PS-së, jam thjesht simpatizant i saj, jam një njeri që sheh në programin e saj forcën politike të madhe e të mundshme për ta çuar demokracinë shqiptare tek demokracia e vërtetë.
Kur nisët të besoni në këto që thoni?
Unë në natyrë jam socialist, sepse fjala socialist vjen nga fjala social, pra shoqëror, i shumicës. Parimisht nuk dëshiroj që pak individë të ecin dhe shumica të vuajë varfërinë dhe pabarazinë. Në këtë prizëm unë jam socialist, sepse më pëlqen që të gjithë të jenë, të gjithë të kenë. Kjo është utopi, sepse kurrë s’mund të jenë të gjithë njësoj, por së paku të përpiqemi, që të mos e lëmë pedagogun të shesë banane rrugës për të ushqyer fëmijët, as ta lëmë hajdutin të lirë, të të shtypë me makinën që s’di ku e ka vjedhur. Kështu që idetë e mia përkojnë me programin e Partisë Socialiste për të ndërtuar një shoqëri sa më demokratike, një shoqëri që përveç stimulimit të individit ka kujdes edhe ecjen përpara të shoqërisë. Këtu e djathta abuzon me sloganin që duke ecur individi, ecën shoqëria. E ka treguar historia botërore që nuk është kështu. Një vend i zhvilluar si Amerika ka individë që kanë shkuar shumë përpara, por ka dhe probleme shoqërore, premtimi për zgjidhjen e të cilave i dha Klintonit pushtetin, madje mund ta mbajnë në pushtet dhe për 4 vite të tjera.
Hytë befas në politikë. Ndjeni se po humbisni miqtë me të cilët s’keni bindje të njëjta politike?
Unë kam miq pavarësisht nga partitë ku bëjnë pjesë. Për mua Partia nuk bën njeriun, njeriu bën partinë. Më kanë uruar për kandidaturën gjithë miqtë e mi, qofshin të PD-së qofshin në partitë e tjera. Por nuk mund të them se nuk ka inate e mëri politike. Për fatin e keq të saj, PD bëri një gabim të madh të cilin nuk duhej ta bënte; luftën e klasave. Ata e kritikuan gabimin e madh të Partisë së Punës, e sulmuan, e shanë e përshanë dhe pastaj e përsëriten. Është për të ardhur keq. Nëse nesër unë do jem deputet, do të udhëhiqem nga parimi “kundërshtarët” janë thjesht kundërshtarë programesh, por jo objekte sulmi, fyerje.
Në cilën zonë jeni kandiduar?
Jam kandiduar në zonën 50, që në mënyrë gjeografike nis nga Garda Kombëtare, zona e liqenit, pallatet Agimi, deri tek Ambasada Kineze. Unë jam tiranas autokton dhe Tiranën e njoh siç ka qenë dhe të ndryshuar, sepse është rritur bashkë me mua. Më vjen mirë që jam kandiduar në një zonë qytetare dhe do ta kem më të thjeshtë për të komunikuar, sepse ata shumë gjëra i dinë pa ia treguar unë. Është zonë e banuar në shumicën e saj nga tiranas autoktonë që moralisht janë me mua, pra unë jam për ata dhe ata janë për mua.
Ndërsa kundërshtari juaj në këtë zonë është?
Ndoshta nga moseksperienca ime si politikan, unë nuk merrem shumë me kundërshtarin.
Por nga sporti ju keni mësuar se loja juaj, s’është thjesht juaja, por shumë e kushtëzuar nga kundërshtari.
Pikërisht në sport unë kam mësuar që të mos përgatitesh thjesht për një kundërshtar, por të përballosh shumë të tillë, e sidomos të futesh në lojë i bindur se do fitosh.
E ndërsa ethja elektorale po bën çudira, kur duket se njerëzit i deh dhe uji, ju i keni ndjerë shenjat e para?
Jam krejt i qetë dhe i tillë më duket do mbetem deri në fund. Parashikoj një lloj emocioni të natyrshëm ditën e votimeve, por kaq.
Në një fjalim të ardhshëm elektoral ç’do premtoni, si do gënjeni nga pak?
Edhe një nga arsyet që unë pranova të kandidohem është se duke mos më pëlqyer ata që gënjejnë, mendova të kandidoj në mënyrë që t’i provoj vetes dhe të tjerëve se mund të komunikosh dhe pa gënjyer.
A ka pasur një ballafaqim tuajin në zonën elektorale?
Ende jo, por jam duke ndjekur gjithë procedurat e nevojshme. Për këtë po përpunoj një program bashkë me njerëzit që më ndihmojnë.
Sa e moderuar është fushata juaj personale?
Nuk mund të pretendoj që në këtë fushë të jap përgjigje të sakta, sepse eksperienca më mungon. Prej vitesh vëzhgoj politikën e jashtme, por fushatat elektorale jashtë ende nuk më duken të përshtatshme për tu ambientuar në Shqipëri. Fushata ime elektorale në përgjithësi do të jetë e lehtësuar, pasi momenti i parë, voluminoz dhe shumë i rëndësishëm i njohjes së kandidatit me zgjedhësit, krijimi i imazhit dhe personazhit për mua është i ezauruar. Nuk e them me siguri, por në zonën ku unë jam kandiduar vështirë se mund të gjesh banorë që së paku nuk kanë dëgjuar për mua. Madje ka nga ata që janë shumë të afërt me personin tim dhe janë pikërisht këta që do e bëjnë fushatën pa jua kërkuar unë.
Dhe në 27 maj ju shpalleni deputet i Partisë Socialiste. Sërish një ndryshim i madh në jetën tuaj.
Po, nëse do të ndodhë është padyshim një ndryshim i madh, që më ka bërë të hezitoj gjatë periudhës kur u mendova ta marr, apo jo një përgjegjësi të tillë. Por do ta vlerësoja si një kontribut timin qytetar për vendin tim.
Pra ju e trajtoni politikën si kontribut, jo si hobi, apo boshllëk?
S’ka si të jetë boshllëk, pse unë kam marrë nga jeta gjithfarë kam kërkuar. Dhe do të më dukej pa logjikë ta quaja hobi. Është thjesht detyrim moral, përgjegjësi për të kontribuar krahas të tjerëve në ndryshim.
Disa prej arsyeve që do sjellin humbjen e Partisë Demokratike cilat janë sipas jush?
Është një parti e kompromentuar, në zhvillimin ekonomik të vendit, në rindërtimin e hakmarrjes, në zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë dhe Kosovës, në korrupsionin galopant. Ajo ka ndërtuar dështimin e vet dhe ka pak shanse morale për ta fituar. Nuk di të flas për shanset materiale që ata mund të kenë ndërtuar, por moralisht janë të destinuar të humbasin.
Po t’i shohim gjërat bardh e zi, mos PS do të fitojë vetëm pse PD ka gabuar dhe duhet të humbasë?
Zakonisht fitorja duhet bazuar mbi meritat e tua, dhe unë e thashë se meritën kryesore e ka programi i PS-së, njerëzit që ka përreth ajo, por në fund të fundit element i rëndësishëm është dhe gabimi i kundërshtarit.
Të bazohesh mbi gabimet e tjetrit mund të fitosh pushtetin, por kjo s’do të thotë se mund ta mbash?
Partia Demokratike e mori pushtetin sepse Partia Punës kishte gabuar, por s’diti ta mbajë. Kjo mund t’ju ndodhë dhe socialistëve, gjë që unë nuk e shpresoj dhe nuk e mendoj.
Në një intervistë të Euronews Presidenti ynë i cilësoi socialistët shqiptarë shumë të rrezikshëm pikërisht pse merren ende me Marksin. Ç’mendoni ju?
Këto muajt e fundit jo vetëm në intervistat e Presidentit, por shumë personaliteteve të Partisë në pushtet kam dëgjuar shpesh fjalën Marksi, kooperativa bujqësore. Kam vënë re se i përdorin vend e pavend, sepse siç duket ata nuk gjejnë dot asnjë gabim në programin real të Partisë Socialiste dhe merren me Marskin. Aq më keq për ta që e përdorin si gogol, sepse ai është një filozof botëror, që edhe në perëndim vlerësohet për ç’i duhet vlerësuar. Ndërsa në Shqipëri Presidenti e të tjerë e përdorin në vend të lidhëzave e nyjeve, në fjali pa kuptim. Siç duket kjo shpjegohet nga e vërteta se plankonspektet e figurave që na udhëhoqën këto vite, kanë pasur personazh kryesor Marksin për shumë kohë, ndaj ata nuk mund të dalin kaq lehtë nga vetja. Deri tek Marksi arrin kultura e tyre, e s’mund t’ju vësh faj për këtë./dritare.net
c.a