“Jani Alia ishte betuar se do ta vriste Elton Çiçon me çdo kusht”. Kështu e përshkruajnë prokurorët në mbyllje të hetimeve, ngjarjen e 2015-s në kryeqytet, e cila në fakt ka nisur 16 vjet më parë në Greqi dhe që ka shënuar një sërë ngjarjesh të tjera kriminale.
Prokuroria thotë se të dy kundërshtarët janë nga fshati Zhapokikë i Tepelenës. Vrasja në Greqi e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Alia ka vulosur armiqësinë mes të dyve.
Sipas prokurorisë, edhe Çiço ishte betuar të merrte hak për shokun e tij. Prokuroria shpjegon se të dy kundërshtarët u takuan në burgun e Koridhalosë gjatë kohës që Alia po vuante dënimin për vrasje dhe Çiço për drogë.
Prokuroria shton se Alia e qëlloi me thikë në burg Çiçon pasi ai kishte planifikuar të hakmerrej. Prokuroria përshkruan urrejtjen mes dy të rinjve në atentate të dështuara mes njëri-tjetrit dhe ndaj miqve të secilit, ndërsa për këtë seri krimesh ka një dosje të hapur edhe tek Krimet e Rënda, për shkak të dhunimit të prindërve të Elton Çiços, që për vrasjen e tij prokuroria kërkon gjykimin e Jani Alisë.
Në të njëjtën dosje do të dalin para drejtësisë edhe Renato Milloshi nën akuzë për moskallëzim krimi, pasi sipas prokurorisë, vrasësi ka përdorur një automjet të të riut nga Tirana.
Nën akuzë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës janë edhe shtetasit Redjan Rraja dhe Alban Trimi, të cilët ndodheshin në të njëjtën tavolinë me viktimën dhe që sipas prokurorisë, shfaqen në kamerat e sigurisë pas krimit jo vetëm duke përcjellë të ndjerin me ambulancë, por edhe duke ndërhyrë në vendngjarje.
c.a