Basha shpresonte se vizita e tij, lobimi dhe letra e gjashtë senatorëve amerikanë, do ndikonte pranë presidentit të ri amerikan, Donald Trump, për të ‘luftuar’ dy kritikët e tij, Edi Ramën dhe George Soros. Por e kundërta ndodhi.
Basha shkruan se ai ka qenë në inaugurimin e Trump dhe se ka nxituar vendosjen e emrit të Trump në një rrugë në Kamzë. Përpjekja e PD dhe opozitës për të treguar se Shqipëria rrezikon destabilizimin, mori një goditje të fortë sidomos pas ngjarjeve në Maqedoni.
Madje letra e gjashtë senatorëve mund të ketë ndikuar për keq, duke u kthyer në bumerang për demokratët. Revista e njohur amerikane, ‘Newsweek’ shkruan se këta gjashtë senatorë amerikanë, që u ankuan se Soros po ndihmon forcat e majta në Maqedoni dhe Shqipëri, po përkrahin banditët që pushtuan parlamentin maqedonas.
Pas këtyre banditëve qëndron Nikolla Gruevski, shkruan revista, dhe pas tij janë interesat e Moskës. Dhe për ironi, senatori që udhëhoqi nismën kundër ndikimit të Soros në Ballkan, quhet Mike Lee dhe ishte kundër votës së Senatit për pranimin e Malit të Zi në NATO. Ai u kritikua nga shtypi amerikan se po përkrah interesat e Kremlinit me këtë qëndrim.
Situata alarmoi senatorin John McCain, i cili jo vetëm foli ashpër në SHBA, por edhe vizitoi Ballkanin për këtë qëllim. Në këtë mënyrë, dashje pa dashje, PD u rreshtua në krahun e gabuar, duke shqetësuar akoma më shumë Uashingtonin. Prej këtu nisi edhe reagimi i ashpër i SHBA, që deklaroi fillimisht se do njohin zgjedhjet edhe pa opozitën. Në betejën se kush do e ‘destabilizojë’ Shqipërinë, opozita apo qeveria, të parët duket se e humbën garën. (Mapo)
ma.me