EKSKLUZIVE/ Bisedimet treorëshe mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha duket se nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret. Por Javanews mëson nga burime pranë Presidencës, se takimi është zhvilluar i qetë dhe pa momente tensioni.
Javanews mëson se kryeministri Rama është shprehur që në fillim të takimit se nëse zoti Basha ka ardhur me qëllimin e vetëm të marrjes së një qeverie teknike në tryezë, takimi mund të konsiderohet i mbyllur. Rama ka shtuar, se kjo retorikë e çadrës nuk mund të jetë subjekt negociate mes palësh në një takim zyrtar.
Më tej Rama ka bërë edhe ato që shihen si ofertat e tij elektorale. Ai i ka propozuar opozitës që të krijohet një strukturë e posaçme shtetërore për zgjedhjet, e cila do të ketë në krye një person dakordësuar dhe që do të funksionojë me asistencën e ndërkombëtarëve. Më tej ai ka ofruar edhe një zyrtar të posaçëm pranë ministrisë së brendshme, për t’u marrë me procesin zgjedhor. Rama ka thënë se ky dikaster do t’i qëndrojë larg fushatës dhe procesit zgjedhor.
Rama ka kërkuar gjithashtu që, nëse opozita dëshëron të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit, vetingu duhet votuar të enjten në Kuvend, pasi është edhe seanca e fundit e legjislaturës.
Nga ana e tij Basha ka përsëritur tezat e njohura të qeverisë teknike, duke kërkuar ikjen e kryeministrit. Ai e ka parashtruar këtë nevojë, si një kusht për të rikthyer besimin e opozitës tek procesi elektoral dhe për të mbajtur larg fushatës kanabisin dhe blerjen e votës me paratë e drogës e krimit. Basha ka deklaruar se nuk del nga çadra pa marrë këto garanci, të cilat i ka parë si te vetmet që sigurojnë një proces elektoral të lirë dhe me standarte.
Dy palët kanë rënë dakord të vijojnë konsultimet, por nuk është ende e qartë se cilat janë afatet e negociatave.