Presidenti i Grupit Socialdemokrat ne Parlamentin Evropian Gianni Pitella i ka dërguar sot një letër urimi Ilir Metës me rastin e zgjedhjes në postin e Presidentit të Republikës.
I dashur President, I dashur Ilir,
Nuk dua të humbas rastin t’ju uroj ngrohtësisht me rastin e zgjedhjes tuaj në postin e Presidentit të Republikës nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ne ndjehemi krenarë që ju, një anëtar i familjes së madhe social-demokrate, do t’ju kemi në krye të shtetit shqiptar.
Mund të mbështeteni gjithnjë në bashkëpunimin tonë besnik dhe në përkrahjen e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, veçanërisht në përpjekjet tuaja për të siguruar dialog konstruktiv mes partive politike dhe për të promovuar bashkëjetesën e paqtë në Shqipëri, si dhe në të gjithë rajonin e ballkanit Perëndimor.
Vlerat dhe parimet evropiane që ne ndajmë bashkarisht, si dhe besimi i ndërtuar në vite mes nesh, do të jenë baza e këtij bashkëpunimi.
Ju uroj çdo sukses personal gjatë mandatit tuaj dhe ripërsëris dëshirën time për të mirëpritur vendin tuaj, Shqipërinë, në familjen e madhe Evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gianni Pittella
President i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve
Parlamenti Evropian/ma.me