Nga Spartak Ngjela
“Revolucioni” Berisha është drejt fundit të vet, pa filluar ende.
Kurse, po ashtu, edhe fenomeni i vjedhjes në qeverisjen shqiptare, pas njëqind vjetësh, është në fundin e vet.
l.
Krerët e europianëve të qëndrës së djathtë ishin të prerë mbrëmë me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, por të përmbajtur në paralajmërimin kundrejt Saliut dhe Bashës. Sepse ata kanë dashur t’i ndihmojnë këta të dy, për të mos e provuar stuhinë e rreptë të uraganit amerikan që iu vjen këto ditë.
Theksi destabilizues i Saliut, do të ndëshkohet shumë rëndë, nëse sot nuk merr fund, dhe nuk veprohet sipas sugjerimit me kontekst të veçantë që iu dha mbrëmë kryetari i tyre Dol.
Sigurisht që ky ishte fillimi, sepse presionit që vjen këto ditë nga Uashingtoni, do t’i nënshtrohen Basha e Berisha, njëlloj siç u nënshtrua “trimi” maqedonas i Putinit pardje në Shkup.
Presidenti i Maqedonisë Ivanov, në Shkup pardje, përballë presionit kërcënues faktik të politikës së lartë amerikane, i la të gjitha në tryezë: edhe firmën për kryeministrin, edhe kryesinë e parlamentit, dhe gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni. Që të gjitha.
ll.
Saliu me “kryetarin” e tij Basha e habitën dje të djathtën europiane, sepse paraqitën para liderëve të saj një gjuhë protoproletare, të harruar tani në Europën politike perëndimore, që nga vdekja e Stalinit.
Turp për Shqipërinë që i ka pasur përfaqësuesë deri tani këta politikanë aguridhë që, nga frika, kaluan në psikologjinë e brigadave proletare, jo për të marrë pushtetin, por për të ruajtur gjënë ë vjedhur.
Megjithatë, presioni i kryetarit të grupimit europian të qëndrës së djathtë europiane, ishte shumë i fortë si gjuhë paralajmëruese, sepse, pas këtij paralajmërimi kundrejt forcave të tilla destabilizuese, vjen gjithmonë qëndrimi drastik amerikan.
lll.
Megjithatë, kjo është shumë pak, po ta krahasosh këtë me atë që ka provuar në Shkup pardje presidenti maqedonas Ivanov nga takimi me zëvendësin e zv. sekretarit të shtetit amerikan.
Sali, mos e provo edhe ti atë që provoi Ivanovi! Është tepër e rëndë dhe do të të vendosë në një pozicion shumë qesharak përpara shqiptarëve, më keq se Ivanovin.
Dhe mos harro se Ivanovi kishte me vete edhe Putin mavrinë…
Të vjen këto ditë edhe ty i njëjti presion force nga Uashingtoni.
Më mirë sot mbylle këtë komedi, sepse Ivanovi ka dy ditë që flet me vete me gjithë Putinin.
Po ty, mor i mjerë, Ciprasi me Dulen do të të mbrojnë! I ke hyrë detit në këmbë Sali, është peshë e rëndë ajo që pritet të të vijë këto ditë, dhe deti është shumë i thellë: nuk pranohet destabilizimi i Shqipërisë në këtë situatë, sepse është në qëndër të politikës amerikane.
Mbylle sot Sali! mos e provo “ponë” që provoi Ivanovi… Thuaje ponë tënde pro vetingut dhe zgjedhjeve së është e rëndë ajo që kaloi pardje Ivanovi….
Nuk ka forcë sot të destabilizojë dot Shqipërinë: është pamundësi absolute.
lV.
Amerika duhet dhe do ta përdorë forcën kundrejt Berishës, pandaj dhe liderët e partive popullore europiane u munduan mbrëmë që t’i jepnin ndihmën e fundit.
Ambasadori Donald Lu, dje doli sërish me gjuhën e tij të hapur kundër protoproletarëve shqiptarë të Saliut; por kujt ia thotë? Thjeshtëligjërimi protoproletar i Bashës dhe Saliut tani ka hyrë në historinë e gjuhës pa mendim në Shqipëri.
Çoroditja mendore që vjen nga frika, e detyron mendjen njerëzore të punojë nën alarm. Kjo është gjendja e Saliut dhe e Bashës sot. Por elektroshoku i sjell sigurisht në normalitet; dhe ai do të vijë.
Njëlloj si frika e presidentit dhe kryeministrit maqedonas Ivanov dhe Gruevski. I njëjti hall është edhe sot në Tiranë: të korruptuarit kanë frikë nga drejtësia shoqërore.
Këto ditë, nëse sot protoproletarët e Saliut nuk rreshtohen në Parlament dhe në procesin zgjedhor me kokëulje, shqiptarët do të shohin komedinë më të madhe të kokëuljes së “revolucionarëve” arkaikë të Shqipërisë aktuale.
Fundi Berisha-Basha, ka tepër gjasë që të jetë në këto ditë një komedi moderne.