Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere ka paraqitur një katalog me dhjetë pika për kulturën gjermane si kulturë orientuese në Gjermani.“Kush nuk e njeh apo e refuzon atë, ka pak shanse integrimi”, thotë ai.“Dua që me disa teza të ftoj për një debat për kulturën orientuese në Gjermani”, shkruan Thomas de Maiziere në një artikull, si i ftuar nga gazeta “Bild am Sonntag”, transmeton DW.
De Maiziere rendit dhjetë pika, që sipas tij janë pjesë e kulturës orientuese gjermane, si për shembull disa zakone shoqërore: Në Gjermani jepet dora për t’u përshëndetur, tregohet fytyra dhe përmendet emri. “Ne nuk jemi burka”, thekson politikani i CDU-së.
Tek kultura orientuese gjermane bën pjesë edhe shkollimi i përgjithshëm, vullneti për të arritur diçka në jetë, trashëgimia e historisë gjermane, me marrëdhënien e veçantë me Izraelin, dhe pasuria kulturore. “Kush është i sigurt për kulturën e tij, ndjehet i fortë”, thotë ministri. “Por mbi të gjitha qëndron respektimi i dinjitetit njerëzor”.
Feja “si stuko e shoqërisë”
“Vendi ynë është i përcaktuar nga krishtërimi. Ne jetojmë në një paqe fetare. Baza për këtë është kushti i patjetërsueshëm i ligjit mbi të gjitha rregullat fetare në bashkëjetesën shtetërore dhe shoqërore”, shkruan ministri gjerman.
Feja është në vendin tonë “stuko e shoqërisë”, thotë de Maiziere, vetë protestant besimtar. Për këtë “angazhohen në shoqëri në mënyrë të palodhshme kishat”.
Politikani kristiandemokrat shikon edhe “një patriotizëm të emancipuar” si pjesë e kulturës orientuese gjermane. “Një patriot i tillë e do vendin e tij, pa urryer të tjerët. Edhe orientimi perëndimor i Gjermanisë, lidhja me Evropën dhe një kujtesë e përbashkët kolektive për ngjarje, histori e tradita janë pjesë e kulturës orientuese gjermane”, thotë ai.
Ministri i Brendshëm gjerman nuk i pranoi kritikat ndaj konceptit të kulturës orientuese. “Fuqia dhe siguria e brendshme në kulturën tënde të bën tolerant ndaj të tjerëve”, shkruan ai.
“Dora e zgjatur”
“Të gjithë atyre që vijnë në këtë vend dhe u lejohet të qëndrojnë, ‘ne u zgjasim dorën’”, siguron ministri i Brendshëm.
“Por kush nuk e njeh këtë kulturë orientuese, nuk do ta njohë, ose madje e refuzon atë, ai ‘ka pak shanse për integrimin’. Sepse ata nuk do të ndjehen pjesë e kësaj shoqërie, pa njohur dhe pa respektuar kulturën tonë orientuese”, ka deklaruar ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, përgatiti DW. (b.an)