Deputeti shqiptar i LSDM, Muhamed Zekiri tregon në #DritaremeRudinën në Vizion Plus, dhunën që përfshiu Parlamentin e Maqedonisë. Zekri thotë se dhuna u organizua nga partia e Gruevskit, të cilët kanë qëllim tu ikin krimeve që kanë ushtruar gjatë këtyre viteve që kanë qenë në pushtet.
Më 27 prill, Parlamenti i Maqedonisë u kthye në një përplasje mes deputetëve dhe protestuesve. Çfarë ndodhi, si nisi?
Unë nuk i quaj ata protestues, ai ishte për mua sulm terrorist i grupeve të caktuara nën udhëheqjen e partisë, tashmë opozitare, VMRO DPMNE. Ajo që ndodhi ishte pasqyra më e mirë dhe tregoi fytyrën e vërtetë të kësaj partie, se në çfarë forme ata e kanë ushtruar pushtetin në këto vite. Ata e kanë ushtruar pushtetin duke kërcënuar, shantazhuar dhe duke vjedhur shtetin. Duke tentuar tu ikin krimeve, që kanë bërë gjatë këtyre 10 viteve të fundit, ata lëshuan horrat e tyre që të përballen me deputetët e shumicës së re, të cilët në formë kushtetuese e konform rregullave parlamentare, zgjodhën atë ditë kryetarin e ri, Talat Xhaferri.
Ju ishit të pranishëm. U prekët nga dhuna?
Isha i pranishëm gjatë gjithë kohës. Falë Zotit mbeta i paprekur duke u strehuar në një nga kabinat për përkthim, që gjendeshin në atë sallë, ku nuk u futën protestuesit. Por, nga ai vend unë pashë gjithë atë që ndodhi. Ata kishin të targetuar njerëzit dhe deputetët kë duhet të sulmonin. Nuk ishin target i tyre të gjithë deputetët. Dëgjova edhe emrin tim që e thërrisnin dhe kërkonin të më gjenin. Target kishin kryetarin e partisë sonë, sekretarin dhe nënkryetaren e partisë LSDM. target ishe dhe Ziadin Sela dhe kryetari i sapo zgjedhur, i cili falë Zotit shpëtoi duke u mbrojtur nga deputetët e LSDM. Gjithçka ishte e planifikuar dhe e mirë organizuar. Njerëzit me maska ishin të armatosur, ishin me radio lidhje dhe atyre dikush ua hapi dyert.
Sot pati takime të rëndësishme të politikanëve maqedonas dhe zyrtarit të lartë amerikan. U duk sikur pati një dritë jeshile. A do të ketë një qeveri të re Zaev?
Kjo është një dritë në fund të tunelit për Maqedoninë. SHBA mbeten partnerë strategjikë dhe miqtë tanë, jo vetëm e rajonit por në përgjithësi. Kjo vizitë ishte e një rëndësie të veçantë. Përfaqësuesi amerikan takoi fillimisht kryetarin e Parlamentit, madje edhe më herët e pranuan zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit dhe ky është sinjal pozitiv. Takimi me Ivanov dhe komunikata që doli pas atij takimi nga Presidenca, është sinjali i parë se presidenti fillon të zbusë tonet dhe se do ta japë mandatimin. Mbetet në ditët në vazhdim që kryetari i ri i Parlamentit ta njoftojë zyrtarisht Presidentin Ivanov se ekziston shumica parlamentare dhe se kërkon t’i jepet mandati për formimin e qeverisë së Zoran Zaev. Më pas i mbetet parlamentit të votojë përbërjen e re qeveritare.