Një kryetar partie opozitare refuzoi dje 500 mijë euro të ofruara nga njerëz afër qeverisë për tiu shkëputur Bashës dhe për tu futur në zgjedhjet e 18 Qershorit.
Deklaratën e bëri sot, kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë fjalimit të tij në çadrën e protestës.
“Ky Pazar tregon dhe njëherë se sa poshtë ka rënë demokracia shqiptare. Se si është zëvendësuar mundësia për të diktuar me votë qeverisjen e vendit. KQZ kjo vegël e pavlerë i pranoi me 24 orë vonesë listat e pazarit të peshkut, të Edi Ramës, Ilir Metës, Shpëtim Idrizit dhe një tufe mercenarësh.
Republika e vjetër, kupola kriminale në pushtet, dje gjatë gjithë ditës ofroi shuma të majme partive politike opozitare me qëllim regjistrimin e tyre në thyerje të vendimit popullor të 18 Shkurtit.
500 mijë euro iu afruan një kryetari partie për tu shkëputur nga opozita dhe ky vendim popullor dhe për tiu bashkuar komplotit të politikës së vjetër.
Qindra mijëra euro iu ofruan kandidatëve potencialë të partive aleate. Ata thanë jo. Askush nuk e mori lugën e çorbës së prishur të Edi Ramës, Ilir Metës me shokë”, tha Basha.
Basha sulmon Topin dhe Blushin
“Ben Blushër, Bamir Topër kanë gëlltitur çorbën e prishur. FRD është kthyer në OSHEE. Ky institucion dhënë firmat për tu regjistruar si parti mbrëmë.
Ben Blushi është fasada e një pseudo opozite, makijazh për surratin e pamakiazhueshëm të republikës së vjetër.
Kjo është hera e parë dhe e fundit që unë merrem me ta. Këshilla ime është që ju ti varrosni në harresën dhe indiferencën totale të një shoqërie”, theksoi Basha.
c.a