Pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur mbrëmë në Korçë,ku disa të rinj të presupozuar si militantë të PD-së i kanë bllokuar rrugën autobuzit të aktivistëve të FRESSH duke djegur goma në rrugë, ka reaguar edhe kryetari i FRESSH Eljo Hysko.
Hysko shprehet i keqardhur në statusin e tij në Facebook duke e quajtur aktin të shëmtuar që vjen si pasojë e mospasjes së lidershipit dhe ideve.
Më poshtë reagimi i plotë i kryetarit të FRESSH, Eljo Hysko:
“FRESSH shpreh keqardhje për aktin e dëshpëruar dhe aq të shemtuar të militantëve të PD, që në mungesë të lidershipit, ideve, kreativitetit kanë gjetur shpëtim tek dhuna dhe gjuha e urrejtjes për të bërë lajm duke bllokuar rrugën dhe djegur goma për të penguar kalimin e autobuzit te FRES Kolonje. Përballë shprehjes së kësaj mendësie anti europiane që Shqipëria për fat e ka tejkaluar prej 20 vitesh, FRESSH Kolonjë arriti të ishte pjesë e një takimi fantastik me të rinjtë e qarkut Korçë, për të shprehur mbështetjen e tyre të lirë por të vendosur për Shqipërinë e ëndrrave dhe shpresave të tyre, për Shqipërinë që duam të gjithë dhe që është pikërisht e kundërta e vizionit të servirur sot nga ky grup militantësh vandalë që nuk përfaqësojnë aspak të gjithë mbështetësit e PD.
I madh dhe i vogël, me hir e pahir, po mëson çdo ditë e më shumë se është vetë PD që ndodhet sot në një krizë të thellë dhe se këto akte të dëshperuara, ashtu si edhe vetë strukja nën çadrën e izolimit janë shprehje e rënduar e frikës së tyre nga reforma në drejtësi dhe frikës nga vlerësimi i qytetarëve më 18 qershor.
Të rinjtë e sotëm e akoma më shumë ata që votojnë për herë të parë më 18 qershor, nuk e kanë për borxh të jetojnë ngjarje të tilla. Shqipëria nuk ia ka borxh PD-se rikthimin 20 vite pas. E kundërta ëhtë e vërtetë, PD u ka borxh 25 vjet bllokim shqiptarëve të rrugës europiane. Shqipëria nuk e meriton këtë lloj opozite, meriton shumë më mirë e shumë më tepër.
Shqipëria nuk ka më kohë të bëjë hapa prapa! Shqiptarët nuk mund të tolerojnë kurrë më kaos e dhunë në vendin e tyre. Bashkë si në Kolonjë, Korçë e kudo në Shqipëri ne jemi më të shumtë se kurrë më parë dhe të vendosur në rrugën për Shqipërinë Europiane, për një Shqipëri me drejtësi, shtet, punë dhe mirëqenie për të gjithë.”
/b.d