Tridhjetë e nëntë vjeç, pa parti dhe kurrë i zgjedhur më parë, kandidati i qendrës, Emmanuel Macron arriti të kryesojë dje në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, me qëllimin për t’u dhënë fund ndarjeve tradicionale.
“Sot, kthyem një faqe të jetës politike franceze”, theksoi dje në mbrëmje kandidati “as i djathtë as i majtë” pas njoftimit për kualifikimin e tij në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 7 maj.
“Francezët shprehën dëshirën për ndryshim. Logjika jonë është tashmë ajo e bashkimit”, shtoi ai.
Pritur me përbuzje nga politikanët profesionistë nga të gjitha radhët, tallur për paqartësinë e dyshuar të projektit të tij, ish-ministri i Ekonomisë i presidentit socialist, François Hollande (gusht 2014-2016) theksoi në fjalimin e tij dje në mbrëmje para mbështetësve se kishte ndryshuar fytyra e jetës politike franceze.
Ende i panjohur disa muaj më parë, ai që kërkon të bëhet presidenti i patriotëve përballë kërcënimit të nacionalistëve, doli në fushatë pa eksperiencë zgjedhore, iu bashkua grupit të favoritëve dhe u rendit në krye në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale duke marrë përsipër sfidën për të ndryshuar sistemin.
Mbështetur nga dështimet e kandidatit të së François Fillon, akuzuar për një skandal në lidhje me punësimet fiktive të familjarëve të tij, ky i ri me imazhin e njeriut me fizik ideal u rrit ndjeshëm në sondazhe. Ai do të përballet më 7 maj në turin e dytë me drejtuesen e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, 48 vjeçe.
Produkt i pastër i shkollave të elitës franceze, ky ish-bankier hyri në politikë në vitin 2012 si këshilltar i presidentit Hollande. Nga kjo eksperiencë në hije të pushtetit, pasuar nga dy vite në Ministrinë e Ekonomisë, ai shprehet se ka nxjerrë një mësim të madh nga mosfunksionimi i sistemit poitik aktual.
“Mendoj se Macron ka pasur intuitë, pikërisht sepse ai ishte jashtë jetës politike tradicionale, se partitë qeveritare kishin krijuar dobësitë e tyre, kishin humbur tërheqjen e tyre, ishin, për të ripërdorur një fjalë të vjetër, të përdorur, të lodhshme, të vjetëruar”, thekson François Hollande.
Kjo intuitë shtyu ministrin e ri të themelonte në fillim të vitit 2016 lëvizjen e quajtur En Marche! (Në Lëvizje!) ose EM, që pretendonte tashmë rreth 260 000 aderues.
Ata ishin mijëra, shumica e të cilëve të rinj, të mbledhur dje në mbrëmje në një sallë pariziane, që thërrisnin “Macron president !” dhe lumturoheshin për suksesin e kandidatit të tyre dhe perspektivat për ndryshimin e klasës politike.
Pas dorëheqjes nga qeveria dhe kandidaturës së tij në zgjedhjet presidenciale, Emmanuel Macron paraqiti programin e tij me frymëzim social-demokrat.
– Ndryshim-
Temat e tij të nxehta, pajtimi “liria dhe mbrojtja”, reformimi i asistencës së papunësisë ose propozimi i masave për diskriminimin pozitiv që synon lagjet në vështirësi. Në qendër të programit të tij janë klasat e mesme, që ai i cilëson si të harruara nga e djathta dhe e majta.
Fjalimi i tij asnjëanës, liberal në çështjet e ekonomisë dhe shoqërisë, i pëlqyeshëm për të rinjtë urban dhe sipërmarrësit. Ai josh më pak klasat popullore dhe rurale që refuzojnë globalizmin që ai mbështet.
Kundërshtarët e tij e përshkruajnë si iluzionist plot kontradikta.
Orator në mitingje, ky amator i letrave të bukura, i cili pëlqen të citojë poetët, kritikohet shpesh nga kundërshtarët e tij e kaluara si bankier.
“Unë jam një luftëtar, nuk jam një njeri për të ardhur keq”, theksoi ai të enjten. Gjithashtu, ai mban përgjegjësi për deklaratat e tij ku e cilëson kolonizimin si krim kundër njerëzimit, deklarata që kanë rritur zemërimin ndaj tij të të djathtës dhe ekstremit të djathtë.
Në planin ndërkombëtar, ai është përpjekur të forcojë pozitat me një vizitë në Liban në fund të muajit janar dhe një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në mes të marsit në Berlin. Ai ngjalli në Gjermani interes dhe simpati.
Tre ditë para zgjedhjeve presidenciale ai mori një telefonatë nga ish-presidenti amerikan demokrat, Barack Obama i cili i bëri të ditur se e vlerësonte ndryshimin”, sipas zëdhënësit të tij, përcjell Atsh.
Ndryshe nga konkurentët e tij, ai e publikon jetën e tij dhe zhvillon fushatat me bashkëshorten e tij, Brigitte, sish-profesoreshë e gjuhës frënge, 24 vjet më e madhe./a.m.