Në krizë prej dy vitesh dhe në kaos që prej zgjedhjeve të dhjetorit të cilat nuk prodhuan një qeveri, forcat politike maqedonase vijojnë betejën e akuzave ndaj njëra tjetrës larg zgjidhjes së situatës.
VMRO DPMNE ka deklaruar se Maqedonia do të vijojë të mbetet unike dhe shtet multietnik, duke akuzuar partinë social demokrate si nxitëse të orekseve për Shqipërinë e madhe. Reagimi vjen pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për “Politico” se bashkimi i unioneve të vogla do të jetë i mundur në kohën kur unionet e mëdha mbyllin dyert, e mbështetur kjo edhe nga presidenti Hashim Thaçi.
“LSDM dhe krimineli Zoran Zaev të mos shpresojnë se narko-mafiozët dhe njerëzit të cilët mohojnë identitetin maqedonas do t’i sjellin në pushtet. LSDM nuk mund t’i paguajë borxhet e saj me interesat nacionale dhe shtetërore”.
Ndërkohë socialdemokratët nëpërmjet Dejan Pavlevskit këmbëngulin se shumë shpejt do të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe do të formohet Qeveria e re.
“I bëjmë thirrje Gruevskit dhe udhëheqjes së VMRO-DPMNE-së të heqin dorë nga dhuna dhe të mundësojnë vazhdimin e proceseve demokratike me qëllim që të mund të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit i cili do t’i caktojë zgjedhjet vendore si dhe të mundësojë transferim të qetë të pushtetit”, deklaroi Dejan Pavleski, LSDM.
Që pas dështimit të të mandatuarit të parë Nikolla Gruevski për të formuar shumicën e re, VMRO ka vijuar me propagandimin e idesë së Platformës nga Tirana dhe akuzat ndaj LSDM-së për shitjen e interesave shtetërore. Partia e Gruevskit ka mbështetjen e presidentit të vendit Gjorge Ivanov i nuk mandaton kreun e LSDM për krijimin e qeverisë së re Zoran Zaev duke shkelur në këtë rast edhe kushtetutën e vendit.
c.a