Nga Armando Meta
SPECIALE JAVANEWS/ Vendimi i PD-së për të mos hyrë në zgjedhje pa u krijuar një qeveri teknike duket se është një vendim logjik, po të kihen parasysh rezultatet e saj elektorale pas zgjedhjeve parlamentare të 2013, ku humbi në mënyrë katastrofale. Përgjatë zgjedhjeve të zhvilluara në harkun kohor të 3 viteve të fundit, rezultati elektoral i PD-së i drejtuar nga Lulzim Basha ka qenë zhgënjyes dhe pa asnjë premisë rritje elektorale, përveçse përkeqësimit të saj. Siparin e rënies elektorale të PD pas zgjedhjeve të qershorit 2013 e hapën zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë Korçës, ku kandidati i PD-së Sotiraq Stratobërdha mori vetëm 5284 vota, ndërsa kandidati i PS-së Sotiraq Filo mori 15973 vota, me një diferencë thuajse 10 mijë vota në favor të kandidatit të PS. Kjo humbje e thellë u arsyetua atëhere me argumentin se votat u blenë, por një diferencë kaq e thellë bëri që ky argument të mos kishte asnjë peshë.
Zgjedhjet lokale
Pas zgjedhjeve të Korçës ballafaqimi elektoral midis pozitës dhe opozitës ishin zgjedhjet e përgjithshme vendore të 21 qershorit 2015, ku PD humbi thellësisht, duke përkeqësuar tashmë pozitën e saj edhe në pushtetin lokal. Në 61 bashki të vendit PD arriti të fitojë vetëm në 15, duke humbur 46 bashki të tjera. Një rezultat ky tronditës elektoral. Vetëm pak minuta pas zgjedhjeve lokale, Basha deklaroi se PD kishte fituar, por pas publikimit të rezultateve që dëshmonin humbjen e saj të thellë, ajo nxitoi të deklaronte se votat u blenë. Testi në rang kombëtar i zgjedhjeve vendore dëshmoi se elektoralisht PD ishte në një tatëpjetë të frikshme elektorale.
Dibra
Ndërkohë testi i rradhës ishin zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër, ku PD investoi të gjitha burimert e saj organizative që nga dërgimi i të gjithë deputetëve të saj në Dibër, e deri në ngritjen e strkturave thuajse paramilitare nën të ashtëquajturën grupime për të mbrojtur votën. Pas mbylljes së votimit sërish Basha deklaroi fitoren e PD. Por pasi dolën rezultatet zgjedhore që ravijëzuan humbjen e saj të thellë e të plotë në një zonë të saj bastion, Basha sërish iu kthye tezës së votimeve të blera, në një përpjekje për të justifikuar humbjen e thellë në këto zgjedhje.
Kolonja
Përmasa e humbjes në Dibër ishte goditja më e rëndë për PD-në, po të kihet parasysh se në këto zgjedhje ajo pati indirekt edhe mbështetjen e pakursyer të LSI-së, parti kjo e koalicionit qeveritarë. Basha i kishte konsideruar zgjedhjet në Dibër si pikën e revanshit për të rrëzuar qeverinmë ‘Rama’, por kur rezultati u bë publik se kishte humbur me thuajse 4000 vota gjithëshka u përmbys, duke provuar krizën e thellë elektorale të PD-së. Kjo krizë merr përmasa edhe më serioze po të kihet parasysh se ajo në Dibër kandidoi një figurë të lartë të PD-së, Sherefedin Shehun, i cili mbante postin e deputetit dhe më parë kishte qenë zëvendës ministër i financave. Varkën e PD-së nuk arriti ta nxjerrë në preg as mbështeja e LSI-së.
Kristalizimi i vendimit për të mos hyrë në zgjedhje
Ishte pikërisht Dibra ajo që ravijëzoi edhe vendimin e PD-së për të mos hyrë më në zgjedhje. Kjo u kuptua qartazi edhe në zgjedhjet për Bashkinë e Kolonjës, ku ajo mbështeti një kandidat të majtë nga partitë aleate, por që dhe ai humbi tmerrësisht thellë me një diferencë prej 2100 votash. E gjithë kjo panoramë elektorale e PD-së me një serial humbjesh të një pas njëshme dhe me rezultate të thella, qartësoi se PD nuk kishte asnjë shans për të ngjallur shpresat për një rikthim në pushtet. Në këto kushte vendimi i saj për të mos hyrë në zgjedhje duket logjik. Kjo është përforcuar edhe më shumë edhe nga sondazhet e fundit elektorale, të cilat e nxjerrin PD me rezultat shumë më negativ se ka pasur edhe në zgjedhjet e qershorit 2013. Duket se mos hyrja në zgjedhje është e vetmja rrugë që i ka mbetur Bashës për të mos dëshmuar rrënimin elektoral të PD-së, pavarësisht se i sjell dëm zhvillimeve demokratike në vend. Në harkun kohor të 4 viteve PD pati mundësinë që të riorganizohej elektoralisht. Por fakti se u përqëndrua në ngjarje dite dhe pa asnjë peshë në rang kombëtar, bëri që gradualisht ajo të zbehej. Argumentat e saj kundër qeverisë u bën bajat dhe pa asnjë ndikim elektoral. Mbi të tani rëndon edhe pesha se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të kriminalizuar, duke mos votuar vetting-un. Kjo pritet ta përkeqësojë akoma më shumë jo vetëm imazhin e saj poilitik, por edhe atë elektoral. Ndaj vendimi i Bashës për të mos futur PD-në në zgjedhje është logjik. Kërkesa për qeveri teknike është thjeshtë një sebep. Ajo thjeshtë e ka të sigurtë humbjen në zgjedhje, ndaj asnjë negociator si bën derman.
Javanews.al