Njëri prej tyre ka disa muaj që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë por pas dhënies zyrtare të shtetësisë shqiptare nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, edhe dy të tjerët janë të gatshëm të bëhen së shpejti pjesë e së ardhmes së ekipit tonë Përfaqësues.
Bëhet fjalë për tre A. Ajetët, Arlindin, Adonisin dhe Albianin. Arlind Ajeti, mbrojtësi 21-vjeçar është pajisur me pasaportë shqiptare që në mars të këtij viti dhe madje ka luajtur në tre miqësoret e fundit të Shqipërisë të cilat janë ndaj Italisë dhe dy herë ndaj Francës. Në rang klubesh Arlindi luan për ekipin e parë të Basel të Zvicrës që nga viti 2010.
Binjakët 18-vjeçarë Adonis dhe Albian Ajeti janë gjithashtu pjesë e Basel. Albiani është sulmues, ka debutuar me ekipin e parë që në moshën 16 vjeçare dhe në dy edicionet e fundit rregjistron 6 ndeshje e 2 gola në kampionatin zviceran. Vetëm dy ditë më parë i shënoi një gol të bukur në miqësore gjermanëve të Bayer Leverkusen.
Adonis Ajeti është edhe ai mbrojtës si vëllai i madh Arlindi. Në edicionin e fundit 2014-15 ka fituar çmimin si mbrojtësi më i mirë në Zvicer por nuk ka debutuar ende me ekipin e parë të Basel. Te tre vëllezërit Ajeti kanë qenë pjesë e rregullt e ekipeve kombëtare të moshave të Zvicrës por në fund kanë zgjedhur të përfaqësojnë kombin e tyre, Shqipërinë.