Hungaria do të përdorë të burgosurit për të ndërtuar një gardh me tela që do të parandalojë kalimin e paligjshëm të emigrantëve përgjatë kufirit të saj me Serbinë, njoftoi media shtetërore.
“Ministri i Brendshëm hungarez, Shandor Pintor u shpreh se të burgosurit do të përgatisin materialet për gardhin e përkohshëm, qe do të ngrihet me ndihmën edhe të 900 ushtarëve”, njofton agjencia zyrtare hungareze e lajmeve MTI.
“Gardhi, që do të shtrihet 175 kilometra dhe do të jetë i lartë katër metra, pritet të përfundojë deri më 30 nëntor”, citohet të ketë thënë Pintor.
Shpenzimet totale për strukturën arrijnë vlerën 6,5 miliardë forinta (rreth 21 milionë euro).
“Më shumë se 81 000 emigrantë kanë hyrë ilegalisht në Hungari këtë vit, dyfish në krahasim me vitin e kaluar dhe pothuajse të gjithë prej tyre nga Serbia”, deklaroi Pintor.
Sipas organizatës së OKB-së për refugjatët, UNHCR, 80 për qind e emigrantëve që vijnë në Hungari, në përgjithësi duan azil për Evropën Perëndimore./ATA/