Procesi i votimit të referendumit në Turqi nuk ka qenë në lartësinë e standardeve ndërkombëtare. Kështu ka deklaruar misioni i vëzhguesve të OSBE-së, që ka mbajtur një konferencë për shytp në Ankara.
“Vendimi i Komisionit elektoral turk për të pranuar fletët e votimit pa vulë ka cënuar garancitë kundrejt mashtrimeve”, ka deklaruar misioni.
Nëse Komisioni nuk do të anulojë skedat e kontestuara, opozita është gati t’i drejtohet Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Deklarata është bërë nga partia pro-kurde HDP.
Ndërkohë, Gjermania i ka kërkuar Turqisë që të angazhohet në një dialog të sinqertë, mes të gjitha partive politike dhe civile, pasi sipas Berlinit, rezultatet e referendumit treguan se sa e përçarë është shoqëria turke.
Në një deklaratë të përbashkët, kancelarja Merkel dhe ministri i Jashtëm, Gabriel janë shprehur se Gjermania respekton vullnetin e popullit turk, duke nënvizuar se presidenti Recep Tayip Erdogan ka një përgjegjësi të madhe.